Ngërçi në reformën parlamentare

21/02/2012 00:00

Reforma parlamentare një prej 12 prioriteteve që kërkohet nga komisioni parlamentar të realizohet, sikurse reforma zgjedhore, ka hyrë tashmë në një zonë të nxehtë.

Namik Dokle bashkëkryetar i komisionit të reformës parlamentare, thotë se është bërë progres për cështje relativisht me një peshë jo të madhe në ndryshimet e rregullores së parlamentit, por çështja më kyçe, ajo e rikthimit të votimit të fshehtë duket se do të jetë pika më e vështirë për palët.

“Tashmë kemi hyrë në çështje konkrete, ku ka nevojë për një impenjim më të fortë edhe të kolegëve tanë të mazhorancës, flas për kolegët tanë të mazhorancës për të patur një hapsirë të vullnetit politik për të ecur përpara.  Ne kemi bashkëpunuar mjaft pozitivisht me dy kolegët, por vërejmë që në disa çështje kyçe ata janë të tërhequr dhe presin një vullnet nga partia e tyre dhe grupi i tyre parlamentar, gjë të cilën akoma nuk po e vëmë re, sidomos në disa elementë kyç të ndryshimit të rregullores siç është votimi i fshehtë apo ndonjë problem tjetër”, thotë zoti Dokle.

Gjithashtu Namik Dokle shpreh shqetësimin se katër prej 12 prioriteteve, po i kushtohet një vëmendje e madhe duke mos bërë asgjë në realizimin e 8 prioriteve të tjera.

“Nga 12 prioritetet katër prej tyre kanë të bëjnë me punën dhe bashkëpunimin e opozitës, sic ishte zgjedhja e Avokatit të Popullit që u krye, votimi ligjeve me 3/5-t që janë në proçes pozitiv, reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare. Ne po këmbëngulim që këto katër probleme të zgjidhen me vullnetin e përbashkët të të dyja palëve. Por sa i përket çështjeve të integrimit të rëndësishme janë edhe 8 prioritet e tjera që janë detyra të rëndësishme të lëna qeverisë në të cilat po vërejmë se nuk ka ndonjë përparim, nuk ka ndonjë hap të dukshëm dhe besoj që këto çështje të realizimit të 12 prioriteve duhen marrë në kompleks. Ndërkohë që Partia Socialiste është e gatshme për të kryer detyrat e saj, vërejmë që edhe në këto 4 elementë ka pengesa, por mbi të gjitha më e rëndësishmja është se nuk ka vëmendje për 8 prioritet e tjera që janë detyra direkte të qeverisë”, shton zoti Dokle.

Ndërkohë Top Channel kontaktoi edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Komisionin e Reformës Parlamentare, deputetin Viktor Gumi. “PD do të shprehë qëndrimin e saj mbi reformën e rregullores, menjëherë pas mbledhjes së grupit të punës ku janë të përfaqësuara të dyja palët”, deklaroi Gumi.

Sipas tij, pas kësaj mbledhje, qëllimi i së cilës është koordinimi eventual i qëndrimeve, “PD do të bëjë publik pozicionin e saj mbi cështjet në diskutim”.

Top Channel