Sadri Ramabaja – Bazuar në fuqinë shtrënguese dhe mundësitë reale për vendimmarrje, Komisioni Europian tashmë i ka marrë frerët e shtetit grek në duart e tij, ndërkaq institucionet demokratike mbesin tutje si fasadë. Aplikimi i protektoratit, sipas modelit kosovar, mbetet çështje e njohjes formale.

Trysnia në rritje që po ushtrohet ndaj Greqisë për të miratuar më në fund masat për shpëtimin e vendit nga falimentimi dhe flakja nga eurozona, ka marrë përmasa dramatike. “Shpëtimtarët”, duke filluar nga qeveria gjermane, pastaj vendet tjera europerëndimore, e ndiejnë lodhjen me këtë “kanar” jugor të BE-së. Ata tashmë janë shndërruar, me të drejtë apo jo, në gjykatës politik. Falimentimin e shohin si proces të pashmangshëm. Ndërkohë preferojnë të flasin për rrugët që do të duhej të ndiqeshin për një falimentim të kontrolluar të Greqisë.

Këshillat dhe qortimet nga Berlini, Rekiaviku etj., Athinës i duken më shumë se tallje. Zemërimi merr zjarr pas kërkesës publike të ministrit gjerman të Financave për shtyrje të zgjedhjeve. Ndërkaq, kjo kërkesë erdhi pasi teknokratët europian u shokuan nga pamjet e shpërfaqura të të zemëruarve dhe të indinjuarve grekë në ekranet televizive dhe në rrjetin social, gjatë orëve të asaj mbrëmjeje, kur parlamentarët po i nënshtroheshin diktatit të Brukselit, duke votuar pro masave shtrënguese që prekin jetën e qytetarëve. Se si do të votojë populli, për politikanët europianë tashmë është e qartë, prandaj kërkojnë që zëri i tij hë për hë të mbytet.

Presidenti grek, Karolos Papulias, pa arritur të frenojë emocionet, shpërthen me retorikën tipike për politikanët e përçmuar deri dje të përkëdhelur së tepërmi. Por ky shpërthim emocional dhe nacionalist, vjen atëherë kur e sheh se ku është katandisur vendi. “Kush është zoti Shojble, që e trajton Greqinë të sëmurë? Cilët janë holandezët? Cilët janë finlandezët?, shprehet ai plot mllef e i papërmbajtur gjatë një takimi me ministrin e Mbrojtjes dhe përfaqësuesit më të lartë të ushtrisë greke.

Ky zemërim atipik për një 82-vjeçar, erdhi pikërisht ndaj këtyre vendeve, meqë ato kishin kërkuar që dhënia e 130 miliardë eurove ndihmë Greqisë nga ana e BE-së, e paraparë për ditët në vijim, të shtyhet deri në prill, pas zgjedhjeve të parapara për në prill.
Shpëtimi i Greqisë, plan i parealizueshëm

Sipas analizave të fundit të treshes (BE, BQE dhe FMN), ndihmat e planifikuara nuk e përballojnë dot shlyerjen e borxheve dhe disiplinimin afatgjatë të politikave financiare greke. Ky ishte përfundimi i telekonferencës që kishin ministrat e Financave të vendeve të UE-së gjatë të mërkurës që lamë pas. Sipas diplomatëve, gjendja e borxhit deri në vitin 2020, përkundër programit të ndihmave dhe shlyerjes së pjesshme nga ana e huadhënësve, mbetet sërish mbi 125% të prodhimit bruto kombëtar (PBK).

Një diplomat ka pohuar si të saktë raportin e së përditshmes prestigjioze franceze “Le Monde”, se me të gjitha masat e parapara, gjendja e borxhit publik nuk do të bjerë nën 129% të PBK, pavarësisht asaj se treshja planifikonte që deri në vitin 2020 ta përkufizonte atë nën 120% të PBK.

Ishin pikërisht këto dilema që e shtrënguan kryesuesin e grupit europian, Kryeministrin e Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, që të deklarohet të mërkurën në mbrëmje se të hënën “do të marrin vendimet e duhura” për paketën ndihmëse për Greqinë dhe atë pas konsultave shtesë me ministrat e eurozonës.

Pas protestave masive të qytetarëve grekë dhe paralajmërimeve për një pranverë tepër të nxehtë politike, huadhënësit kërkojnë garancinë shtesë me shkrim prej dy udhëheqësve të dy forcave më të mëdha politike greke, që aktualisht janë bartëset e qeverisë teknike, Giorgios Papandreou (Pasok) dhe Antonis Samaras (Nea Dimokratia).

Përmes kësaj garancie, ata do të duhej të siguronin huadhënësit se, politika e kursimeve dhe masave shtrënguese financiare, që nënkupton shkurtim të mëtutjeshëm të fondeve për çështje publike, sociale, arsim, zvogëlim pensionesh etj., do të vazhdojë të mbetet strumbullar i politikës greke edhe pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush i fiton ato.

Samarasi, partia e të cilit mbetet në të gjitha anketat si forca politike numër një në Greqi, por sipas të gjitha gjasave pa mundësinë që të qeverisë e vetme, bën përpjekje të lërë një derë të vogël dalëse, që të mos respektohet pakoja ndihmëse, respektivisht që i lë shtetit hapësirë për të kërkuar modifikimin e saj në një program koniunktural me peshë prej disa miliardash dhe dhënie të eurobonove në kohë e rrethana më të përshtatshme për Greqinë.

Por, krahas anketave që flasin për fitoren e mundshme të konservatorëve grekë (Nea Dimokratia), që në fakt është ndër shkaktaret kryesore të kësaj gjendjeje ku ndodhet Greqia sot, gjithnjë e më shumë shtohen zërat që flasin për një përmbysje politike të pritshme në Greqi, duke sjellë në skenë forcat politike që tashmë janë pozicionuar për largimin e Greqisë nga eurozona dhe mosnjohjen e borxheve.

Këto janë arsyet e vërteta që kanë bërë të fitojë në peshë gjykimi për shtyrjen e marrjes së vendimit lidhur me paketën ndihmëse pas zgjedhjeve që po afrojnë. Ky fakt, dhe shtrirja e mundshme e krizës edhe në shtetet e tjera të eurozonës, e bën planin për shpëtimin e Greqisë pothuajse të parealizueshëm.
Greqia, si flakadan i mundshëm i pranverës europiane

Por masat shtrënguese që ndërmori Parlamenti grek para së gjithash prekin njerëzit e vegjël (punëtorët, shtresën e mesme, të papunët…). Ky është ligji i ekonomisë neoliberale. Ndërkohë shkalla e papunësisë në Greqi zyrtarisht thuhet se ka mbërritur në 19.2%. Sistemi shëndetësor lëngon rend – madje edhe sallat e operacioneve po mbyllen, meqë nuk lejohet të angazhohet personel i ri. Shkollat ka kohë që janë shtrënguar t’i mbyllin kuzhinat për fëmijët që kishin nevojë për ushqim shtesë. Numri i akteve të vetëvrasjes ka shënuar gjithashtu ngjitje drastike.

Bazuar në fuqinë shtrënguese dhe mundësitë reale për vendimmarrje, Komisioni Europian qysh tashti mund të thuhet se ka marr frerët e shtetit grek në duart e tij, ndërkaq institucionet demokratike mbesin tutje si fasadë. Aplikimi i protektoratit sipas modelit kosovar, mbetet çështje e njohjes formale.

Në historinë moderne të shteteve, të mbarsur me rënie–ngjitje, krizat kanë prodhuar edhe efekte pozitive. Duket se kriza aktuale financiare, ekonomike, politike, morale… që ka kapluar Greqinë dhe jo vetëm atë, mund të konsiderohet si një fillim i ri në jetën politike greke, që flet shumë edhe për gjithë skenën politike europiane. Gjasat janë për një rilindje demokratike greke, si flakadan i pranverës europiane.

Jo gjithmonë kthesat historike i kanë prodhuar qendrat e perandorive. Edhe periferia e BE-së mund të shërbejë fare mirë si model për një dalje nga rrethi vicioz i krizave, si produkt i neoliberalizmit ekstrem të këtyre tre dhjetëvjeçarëve të fundit. Pranvera europiane lehtë mund të zërë fill në Greqi, ndërkaq një rilindje demokratike europiane duket të jetë proces i pashmangshëm.

Unioni Europian është para së gjithash projekt politik, që u ka sjellë për më se 60 vjet popujve të Europës paqe, siguri, demokraci në ngjitje dhe mirëqenie. UE-ja është më shumë se sa një union ekonomik. Edhe kriza aktuale po dëshmon se UE-ja ka nevojë urgjente për politika të përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë, po aq sa edhe për politika të përbashkëta ekonomike. Në garën ndërkombëtare me superfuqitë ekzistuese si SHBA-ja dhe Kina, po edhe ato rajonale në ngjitje (India, Brazili, Turqia) BE-ja ka nevojë për përmbyllje të procesit të unifikimit të saj politik.

Asnjëri prej shteteve europiane më vete, pavarësisht fuqisë që mund të ketë, i vetëm nuk mund ta përballojë këtë garë, nuk paraqet fare peshë përfillëse. Edhe kjo është njëra prej arsyeve shtesë përse Greqia, si pjesa periferike e UE-së, po rrëshqet pashmangshëm drejt protektoratit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA