
Selim Belortaja – Rreth dy vjet më parë pati një periudhë kur diplomacia ekonomike u shfaq dukshëm në titujt e rreshtat e shtypit. Gazetarët e bënë term të preferuar të thuajse çdo komenti mbi ekonominë dhe marrëdhëniet me jashtë. Herë mes prononcimesh nga zyrtarë të MPJ-së dhe herë mes aktivitetesh në sallat e asaj ministrie, kjo sferë na u shfaq rishtas si mision i ri dhe shumë angazhues në punën e diplomatit.
A ishte ky atëherë një rizbulim i një dimensioni të mirënjohur e kyç për diplomacinë? Në rastin tonë, ku – për shkak të hapjes së vonë dhe barrës së veçantë që na la trashëgimia e vjetër, diplomacia shqiptare ndodhet ende nën një proces transformimi konceptual – kjo edhe mund të thuhet. Gjithsesi, mendoj se faktori kryesor i asaj vëmendjeje mediatike ishte diçka tjetër; më tepër perceptive se sa përmbajtësore. Sebep u bë kryesisht fakti që Ministria e Jashtme ngriti një segment të posaçëm kushtuar diplomacisë ekonomike. Me në krye një drejtor të përgjithshëm. Erdhi madje edhe një zëvendësministër me profil ekonomisti, i cili krahas punëve të përgjithshme zëvendësuese, do t’i qëndronte më pranë pikërisht këtij komponenti: bashkëpunimit ekonomik.
Dy vjet më vonë, termi “diplomaci ekonomike” duket disi i largët e i ftohtë. Prania e tij, ndër titra e kolona është më e kursyer, ndërsa emisionet e posaçme thuajse mungojnë. Shkurt, ka më pak fjalë e debat mbi konceptin. Për më tepër, togfjalëshat “diplomaci ekonomike” dhe “bashkëpunim ekonomik” nuk të sjellin dhe aq ndërmend Ministrinë e Jashtme. Nuk asociohen dhe aq direkt me të. Ndërkohë, drejtoria e posaçme në MPJ është po atje, zëvendësministri po ashtu.
Si shpjegohet kjo pamje dhe a mos kemi këtu ndonjë realitet jofunksionues e në tkurrje? Mos vallë “diplomacia ekonomike” aq e pati e prej saj s’mbeten veçse ato nja 3-4 pozime mediatike dhe disa aktivitete njohëse e orientuese? Apo mos vallë “hallka e posaçme” nuk e justifikoi tamam vetveten? Dhe zëvendësministri bashkë me të?
* * *
Fatmirësisht, kemi një tjetër realitet. Diplomacia ekonomike, ndërsa po shfaqet më rrallë ndër tituj e studio, po shfaqet shumë më dendur në tryezat e punëve reale të zyrtarëve. Gjithnjë e më shumë zyrtarëve. Disa prej të cilëve më parë, as mendonin se do të merreshin me të. Prania e saj në punën e përditshme të funksionarëve të shtetit, në çdo sektor e në të gjitha nivelet (jo vetëm në sferën e marrëdhënieve me jashtë), rritet dita-ditës. Koncepti dhe termi pra, po ja lënë vendin …aktiviteteve.
Kryesisht, jashtë dyerve të shërbimit të jashtëm. Ato po pushojnë së qeni një tezë teorike, po tejkalojnë së qeni edhe një aneks dhe aksesor i axhendës së diplomatit dhe retorikës së marrëdhënieve me jashtë, dhe po shndërrohen në pjesë të natyrshme të punës së çdo shtetari. Për më tepër, ky nuk është dhe as nuk shihet më si një “domen” që shërbehet vetëm nga diplomatët. Apo kryesisht prej tyre, brenda dhe jashtë vendit. Lista e aktorëve të përfshirë tashmë në këtë punë është shumë më e shtrirë në gjerësi dhe në hierarki.
Në “fushë”, atje ku realisht ushtrohet diplomacia ekonomike, kanë “zbritur” dhe po marrin peshë gjithnjë e më të madhe “lojtarët” kryesorë të drejtimit të vendit. Në skenën e programit promovues të ekonomisë së vendit kanë dalë direkt, vetë Kryeministri i vendit, Kryetarja e Parlamentit, Presidenti i Republikës. Ministrat e linjës po i kushtojnë pjesë gjithnjë e më të rëndësishme të angazhimit të tyre pikërisht këtij komponenti: nxitjes së marrëdhënieve të ekonomisë së vendit me partnerë jashtë vendit.
Pa folur për drejtuesit e agjencive të posaçme shtetërore, që si të thuash, “hanë bukë” me këtë punë. Ndërsa për ministrin e Jashtëm, kjo fushë përbën gjithnjë e më shumë një preokupim kryesor të axhendës, sidomos të vizitave të tij jashtë vendit. Fakti që ai është edhe zv/kryeministër, e bën edhe më të fortë këtë shtysë, interesin pra, për të avancuar me përparësi axhendën ekonomike. Krerët më të lartë, pa cenuar mesazhet dhe pozicionimet politike, po i kushtojnë më shumë peshë e theks pikërisht “ftesave” për investime e tregti, për shfrytëzim të shanseve e burimeve në një mënyrë më efikase e fitimprurëse për vendin.
* * *
Ajo çka duam të themi, është që diplomacia ekonomike, gjithnjë e më tepër “po del nga duart” e zyrtarit të shërbimit të jashtëm e po bëhet “profesion” i të gjithëve, para së gjithash, drejtuesve më të lartë.
Ajo çka duam të themi tjetër, është se në këtë tablo angazhimesh të sotme, suksesi apo mossukses i ambicies së diplomacisë ekonomike, sot nuk ka si të shihen të varura, e ca më pak të përcaktuara ekskluzivisht nga zotësitë apo vullnetet e njerëzve që punojnë në shërbimin e jashtëm apo kanë një zyrë në MPJ. Shumë më tepër ato varen e përcaktohen nga zotësitë dhe vullnetet e figurave kryesore të qeverisë e shtetit, angazhuar aq fort në kontakte, në sallat e tryezat e ballafaqimit ekonomik me jashtë.
Kjo, absolutisht që përbën një lajm të mirë. Përbën dëshminë më të qartë për një kuptim real nga ana e tyre të një të vërtete bazë: që suksesi i një qeverisjeje tash e tutje (mbas ngritjes së vlerave bazë të sistemit politik, pluralizmit e demokracisë), do të matet gjithnjë e më shumë nga dimensioni ekonomik; nga zotësia jonë për të prodhuar zhvillim, mirëqenie e rritje të qëndrueshme. Për të konsoliduar treguesit e zhvillimit dhe tërhequr partnerë.
Nuk është e rastit pra, që sot jo vetëm Kryeministri i vendit – i cili përbën një rast të veçantë energjish dhe rendimenti – dedikuar promovimit të modelit ekonomik të vendit, avancimit të projekteve të përbashkëta, nxitjes së tregtisë së jashtme dhe sidomos thithjes së investimeve direkte të huaja, por edhe funksionarët e tjerë të lartë, e kanë “denatyruar” pak axhendën tradicionale. Gjithnjë në favor të projekteve ekonomike për vendin. Shihni fjalën e kreut të Parlamentit tonë në Dhomën Gjermane të Tregtisë, ndërhyrjen e saj në tryezën e Nismës Adriatiko-Joniane, para fondacionit ‘Konrad Adenauer’, gjatë vizitave në Pragë, Uashington, Budapest, Xhakarte, Nju Delhi etj. Si kurrë në traditën e mëparshme, ato sot dominohen nga dimensioni ekonomik.
Puna ma ka dashur të jem prezent në shumë pritje ambasadorësh pranë Presidentit Topi. Edhe në parashtrimet e tij, aspekti ekonomik i bashkëpunimit shfaqet gjithnjë e më dukshëm dhe kjo nuk e cenon aspak, përkundrazi i jep më shumë përmbajtje dhe interes bashkëbisedimit.
Sigurisht, puna dhe angazhimi i Kryeministrit në këtë sferë zë një peshë dhe ka një efekt të veçantë. Kjo, edhe për shkak të volumit të jashtëzakonshëm të aktiviteteve dhe parashtrimeve të tij, por edhe për shkak të njohjes së mekanizmave e projekteve dhe sidomos të informacionit që sjell; pse jo edhe të vizionit dhe pozicionit që ai ka mbi vendimet strategjike në fushën ekonomike. Duke shfrytëzuar çdo rast, festat e ceremonitë me pjesëmarrje përfaqësish të huaja, çdo tryezë e çdo panel, në zyrën e vet, në konferenca e seminare në sallat tona apo në vizitat jashtë vendit, nga Mali i Zi e deri në SHBA, nga Parisi a Mynihu e deri në Baku, kreu i qeverisë nuk rresht së vëni theksin pikërisht mbi këtë aspekt: mundësitë e mëdha që paraqet për të gjithë bashkëpunimi me Shqipërinë. Nuk ka dyshim që në dyfishimin e eksporteve tona këto katër vjet, në trefishimin e investimeve të huaja direkte dhe interesin e investitorëve të mëdhenj globalë për projekte ndërkombëtare ku përfshihet Shqipëria, bindja, argumenti dhe tërheqja që krijon vetë Kryeministri me parashtrimet e tij, kanë peshë të veçantë.
* * *
Ndërkohë, ç’bëhet me segmentin e posaçëm në Ministrinë e Jashtme? A mos atje, për shkak të kësaj “zhvendosjeje aktiviteti” kemi ndonjë zbehje pune e rënie presioni? Aspak, përkundrazi. Sigurisht, ka probleme kapacitetesh. Probleme prioritizimi të sektorëve e projekteve. Si dhe probleme koordinimi, mes nesh dhe agjencive të ndryshme brenda vendit.
Por është fakt që sot ky segment, krejt i vogël në numër njerëzish (vetëm 5), ka tashmë një punë të shtuar. Jo më punë qartësuese mbi konceptet dhe praktikat. As thjesht përgjigje e qarkullim shkresash. Pikësëpari atij i duhet të “ushqejë” me informacion dhe shërbime koordinuese dy “operatorë” të rëndësishëm të “terrenit”. Së pari, rrjetin tonë të përfaqësive jashtë vendit. Së dyti, axhendat “agresive” të funksionarëve më të lartë të shtetit, të cilët diplomacinë ekonomike e kanë bërë pjesë të pandarë të punës së tyre. Sigurisht, me një efikasitet në rritje.
Top Channel