Politikanët grekë kanë lënë pas buzëqeshjen dhe kanë përveshur mëngët. I lodhur pas një nate të gjatë negociatash, por me një paketë huaje prej 130 miliardë eurosh në xhep dhe me marrëveshjen e reduktimit të borxhit me 53.5%, kryeministri Papadhimos ka thirrur pa humbur kohë kabinetin e tij për të diskutuar dhe aprovuar urgjentisht vendimet e samitit të Brukselit.

“Kemi shmangur një skenar ankthi ka deklaruar edhe Ministri grek i Financave, Evangjelos Venizelos”, duke shtuar se falimentimi kaotik dhe largimit nga eurozona, do të shkaktonin një katastrofë të vërtetë për Greqinë, ndërsa në arenën botërore do të shkaktonin një tërmet ekonomik me vlerë prej 1 trilion euro. “Ajo cka arritëm në Bruksel u hoqi brezave që vijnë 107 miliard euro nga shpatullat”, ka thënë ai.

“Në lidhje me pasojat politike, me ndikimin ekonomik dhe pasojat ekonomike dhe sociale, është ndoshta vendimi më i rëndësishmi i epokës së pas luftës”, tha Evangelos Venizelos, Ministri i Financave.

Për të marrë ndihmën, Athina ka pranuar që të vihet nën mbikqyrje të përhershme nga një prani specialistësh europianë në terren, që do të monitorojnë dhe menaxhojnë paketën ekonomike, ndërsa ajo do të duhet të depozitojë fonde për të shlyer borxhin e saj në një llogari të veçantë, si pagesë garancie. Venizellos ka deklaruar se mekanizmi i monitorimit nuk shkel dinjitetin e vendit.

“Ne kemi angazhimin zyrtar dhe të qartë nga partnerët tanë se ata do të na mbështesin edhe pas programit. Me fjalë të tjera, pas 1 janarit 2015, derisa Greqia beson se është e mundur që të rikthehet në tregje, kështu që ky është një plan afatgjatë mbështetje. Është një vendim i qartë politik se Greqia është dhe do të vazhdojë të jetë një anëtar i Eurozonës çfarëdo që të ndodhë”, shtoi Evangelos Venizelos, Ministri grek i Financave.

Por megjithëse qeveria e paraqet planin e shpëtimit si një prej arritjeve më të mëdha, masat e ashpra të imponuara ndaj Greqisë janë gjerësisht të papëlqyeshme nga qytetarët, të cilët pritet të shprehin pakënaqësinë e tyre në zgjedhjet e ardhshme në pranverë.

Sipas sondazhit më të fundit konservatorët dhe socialistët përqëndrojnë respektivisht vetëm 19.4% dhe 13.1%, pasi shumica e grekeve janë skeptikë se kjo paketë reformash do t’i nxjerrë ata nga kriza. Askund në këtë program nuk flitet për masa që do të sjellin zhvillim dhe borxhi do të shkojë në 2020 në 120.5% të PBB, aq sa ka qenë në vitin 2009 kur Greqia kërkoi ndihmën e FMN, theksojnë partitë opozitare të majta të cilat kanë bërë thirrje për protesta të reja .

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA