Shqip, 21 vite nga rrëzimi i përmendores së Hoxhës

20/02/2012 00:00

Sot, më 20 shkurt 2012 mbushen plot 21 vjet nga dita historike, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të shqiptarëve; rrëzimin e përmendores së Enver Hoxhës në qendër të Tiranës.

Të ftuarit në panelin e emisionit Shqip në Top Channel bënë një retrospektivë të ngjarjve në ato ditë të vrullshme, e sidomos të 20 shkurtit të 1991, kur në orën 14:05 u rrëzua përmendorja e Enver Hoxhës, një rrëzim që parapriu ndryshimin rrënjësor, që përcaktoi fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Neritan Ceka rrëfeu: Kam qenë në selinë e Partisë Demokratike. Studentët lanë sheshin Demokracia dhe zbritën fillimisht drejt kryeministrisë e më pas drejt sheshit qendror, aty ku ndodhej monumenti i diktatorit. Mbërrita në shesh pas shembjes së monumentit. Shqipëria në ato ditë ka qenë në prag të luftës civile, nga 20 shkurti deri më 31 mars, kur ishte caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, janë ndër ditët më të vështira të vendit.

I ftuari tjetër në studio dhe një ndër aktivistët kryesorë të lëvizjes studentore dhe të Partisë Demokratike në ato ditë, Aleksandër Biberaj tha: Partia Demokratike u krijua si lëvizje studentore. Studentët dhe një pjesë e profesorëve në atë kohë ishin një hap para shoqërisë. Ka patur debat brenda Partisë Demokratike dhe studentët ishin një hap para. Ne ishim të bindur që Partia Demokratike duhet të ishte e djathtë dhe qendrimi ndaj Hoxhës duhet të ishte pa ekuivok; ai ishte diktator dhe këtë qendrim patëm edhe kundër Ramiz Alisë. Lidershipi i Partisë Demokratike në ato momente pati debate. 20 shkurti çoi PD-në aty ku duhej në qendrën e djathtë me qendrim anti-komunist. Nuk ishim aq të përgatitur për demokracinë.

Zoti Biberaj foli për një tjetër debat të zhvilluar brenda PD-së në atë kohë, atë për lejimin apo jo brenda strukturave të partisë të ish-anëtarëve të Partisë së Punës dhe të ish-punonjësve të sigurimit: Në momentin e krijimit që erdhi vërshuan punonjës të ish-sigurimit të shtetit dhe anëtarë të Partisë së Punës. Unë isha kundër lejimit të tyre, ka patur të tjerë që ishin pro. Në fund u vendos për lejimin e tyre dhe se sa i gabuar ishte ky vendim, historia në këto 21 vite na tregoi atë.

Biberaj foli për një rivitalizim të së djathtës shqiptare dhe ashtu sic ka paralajmëruar disa javë më parë, po në studiot e Top Channel, foli për krijimin e një partie të re: Po krijojmë një parti të qendrës së djathtë dhe unë besoj se nëse nesër ikën lideri i PD-së, PD do të vijë te ne. E djathta duhet riorganizuar, PD nuk funksionon. Është një parti ku nuk mbahen zgjedhjet brenda saj që prej 6 vitesh. Unë u përpoqa të demokratizoja Partinë Demokratike, por ajo më mbylli dyert.

Ndryshe nga Biberaj arsyetoi Neritan Ceka. Në atë kohë nën/kryetar i Partisë Demokratike, Ceka tha se ishte për lejimin e tyre, për t’i shkëputur ata nga sistemi i kaluar. Zoti Ceka shtoi se ishte penduar për largimin e tij nga strukturat e Partisë Demokratike për të dalë me një parti të re.

Ndërkohë, Gjergji Bojaxhi shprehu mendimin se modeli i demokracisë së ndjekur pas shembjes së monumentit, ka zhgënjyer mjaft shqiptarë: Deri më tani kjo demokraci na ka zhgënjyer. Mendoj se nëse Shqipëria s’do kishte patur atë emigracion, sot do të ishte shumë më ndryshe, shumë më perëndimore. Emigracioni ka zvarritur atë që unë do të thoja ndarje mendje të kësaj shoqërie se cili është standardi. Tranzicioni do të vazhdojë për aq kohë sa ne nuk e kemi ndarë mendjen se nga duam të shkojmë, emigracioni është më i dëmshëm.

Zoti Bojaxhi shprehu zhgënjimin e tij dhe ngriti pyetjen se si ka mundësi, që Partia Demokratike, një parti e djathtë, merr shumicën e votës në zonat rurale dhe humbet në ato me shtresë të mesme e të pasur në qytete të mëdha.

I ftuari tjetër në panel Artur Zheji foli për të majtën shqiptare, 21 vite nga rrëzimi i përmendores së Enver Hoxhës: Partia Socialiste është parti e mundësive të reja. Rama shfrytëzoi këtë mundësi të krijuar në atë kohë nga Nano. Rama sot nuk ka lidhje me komunizmin dhe ka një nga karrierat më brilante, një nga ngritjet më brilante individuale në Shqipëri. Por mendoj se tashmë ai po kërkon ta ngushtojë atë derë nga hyri vetë në Partinë Socialiste, derën e mundësive.

Top Channel