Rama: Pushteti vendor i degraduar

20/02/2012 00:00

Tryezën e radhës për zbërthimin e programit “Për një Rilindje Kombëtare”, PS ia ka kushtuar problematikave që ndeshet pushteti lokal, përfshirë alternativat që ofron opozita për një qeverisje vendore funksionale dhe efikase.

Bashkim Fino, sekretar i PS për problemet e pushtetit vendor, u shpreh
se kjo tryezë krahas evidentimit të problemeve synon rikthimin e
dinjitetit të këtij pushteti.

Artan Shkëmbi, kryatar i bashkisë së Pogradencit, gjatë prezantimit të situatës në pushtetin vendor tha se gjithnjë e më shumë ky pushtet është duke u përballur me cënimin e legjislacionit.

Zoti Shkëmbi e ka ilustruar këtë me faktin se që nga viti 2005 Kushtetuta në lidhje me kompetencat e pushtetit vendor është shkelur 7 herë.

Ndërsa kreu i PS, Edi Rama, në fjalën e tij ka përsëritur disa herë togfjalëshin “degradim i pushtetit vendor”. Ky degradim, sipas Ramës, u vu re edhe me situatën e krijuar nga reshjet e dëborës.

“Kjo krizë e fortë, sigurisht e shkaktuar nga tërbimi i motit, por edhe e nënvizuar nga fakti se strukturat e qeverisë që duhet të parashikonin, parandalonin dhe planifikonin përballjen me krizën, nënvizoi domosdoshmërinë e një ndryshimi që çdo shqiptar e ndjen të nevojshëm përditë e më shumë”, deklaroi Rama.

Rama, duke folur për sfidat e drejtuesve vendorë, siç janë mjedisi urban, beteja me plehrat, integrimi i rrethinave, etj, deklaroi se duhet një reformë tërësore e cila nis nga ndryshimi i qeverisjes qëndrore.

“Sfidat e pushtetit vendor janë gjithnjë e më të mëdha, për shkak se ne socialistët i dhamë pushtetit vendor një fizionomi krejt të re. Këto sfida bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe të pamundura për t’u përballuar pa ndryshimin e qeverisë, që duhet të kalojë nga një pakicë qeverisëse në një shumicë me plan të qartë për rimëkëmbjen e qeverisjes vendore”, theksoi Rama.

Top Channel