
Në Muzeun Historik Kombëtar u përurua pavioni kushtuar terrorit dhe diktaturës komuniste. Pavioni u hap në përvjetorin e rrëzimit të bustit të ish-dikatorit Enver Hoxha.
Të pranishëm ishin politikanë, ish-të përndjekur politikë, si dhe të afërm të viktimave të regjimit komunist.
“Është një pavion i ri. Me kalimin e viteve dhe me plotësimin e dokumentave ne menduam ta rindërtojmë nga e para”, deklaroi Enver Kushi, muzeolog dhe organizator i pavionit.
Ndërsa kryeministri Berisha tha se Shqipëria kaloi një periudhë të errët në historinë e saj. “Historia e diktaturës është më e dhimbshmja, më tragjikja dhe më e pamerituara”, u shpreh ai.
Në stenda të ndryshme, përmes fotove dhe imazheve që projektohen, jepen informacione për krimet e bëra gjatë periudhës komuniste.
“Pavioni tregon me fakte që Shqipëria ishte një vend që jetonte nën terror nga pushteti i Enver Hoxhës”, tha më tej Luan Malltezi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.
Pjesë e pavionit janë edhe objektet e dhuruara nga familjet e viktimave, mjetet e torturës, si dhe një qeli e improvizuar, të cilat sjellin më pranë publikut realitetin e dhimbshëm mbi 50-vjeçar që përjetoi populli ynë.
Një botim i veçantë i pasuruar me foto dhe dokumente të shumta, titulluar “Terrori komunist në Shqipëri”, do të dalë së shpejti për shitje gjithashtu.
Ndërsa ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, në fjalën e tij deklaroi se ka filluar puna për përgatitjen dhe më pas hapjen brenda këtij viti të dy muzeumeve të veçanta, njëri në Shkodër dhe një tjetër në ish-burgun e Spaçit, kushtuar periudhës së errët të komunizmit.
Tiranë, përkujtohet rrëzimi i bustit të diktatorit
Pasditen e së hënës në Pallatin e Kongresve, në Tiranë, është mbajtur një ceremoni me rastin e 21-vjetorit të rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha në qendër të kryeqytetit.
Në ceremoni, e organizuar nga forumi rinor i Partisë Demokratike, ka qenë i pranishëm kryeministri Sali Berisha, i cili në fjalën e tij kujtoi ditën e 21 viteve më parë, duke përshëndetur protagonistët.
“Gëzuar këtë ditë të madhe e të bekuar, që hapi për ne shqiptarët dyert e mbyllura të lirisë. Mirënjohje të thellë burrave dhe grave që 20 vjet më parë u përballën në sheshin e Tiranës me diktaturën më të egër të Evropës. 20 shkurti ishte ditëlindja e lirive të shqiptarëve, e të ardhmes së shqiptarëve. Të ardhme kanë vetëm njerëzit e lirë dhe e ndërtojnë vetëm kombet e lira”, deklaroi Berisha.
Duke iu drejtuar të pranishëmve, kryeministri është shprehur se sot Shqipëria është një vend i lirë e demokratik, me një perspektivë të pastër evropiane.
“Sot jemi 20 herë më të lirë nga sa ishim ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit. Ju premtoj se do punoj që të konsolidohen gjithnjë e më shumë të drejtat, liritë dhe respekti. Do punoj për të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj”, ka shtuar Berisha.
Top Channel