Opozita në Kosovë ka kundërshtuar ashpër deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi, që Kosova të përfaqësohet në nismat rajonale me një fusnotë.

Prezenca e Rezozlutës 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në fusnotë, përveç mendimit të GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë, për subjektet politike opozitare tregojnë heqje dorë nga elementet e shtetësisë së Kosovës.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar të hënën se heqja dorë nga “Republika” është heqje dorë nga elementet kushtetuese, ndërsa ka thënë se do të kërkojë që marrëveshjet të vijnë në Kuvend për ratifikim, siç kërkon dhe Kushtetuta.

“LDK beson se heqja dorë nga “Republika” dhe elementet kushtetuese mund t’i vijë në ndihmë vetëm Serbisë”, ka thënë Mustafa.

Deklaratën e kryeministrit Thaçi se Kosova do të prezantohet me fusnotë ku do të përmendet edhe Rezoluta 1244, për Vetëvendosjen është zhbërje e pavarësisë. “Nuk mund të ketë prezantim të Kosovës pa termin “Republikë””, ka deklaruar Visar Ymeri.

Në Vetëvendosje kanë njoftuar se janë duke u bashkërenduar me “të pakënaqurit” që t’i përdorin mekanizmat institucionalë për të parandaluar një marrëveshje të tillë, por nuk kanë përjashtuar as mundësinë e mbajtjes së demonstratave.

Ndërsa, kryeparlamentari Krasniqi nuk e ka komentuar këtë temë, meqë ka thënë se nuk ka diçka zyrtare, por ka dhënë sugjerime për qeverinë dhe Kuvendin.

“Sugjerojmë që institucionet e Kosovës, përgjithësisht Kuvendi dhe qeveria, mos të nguten në disa vendime, prapaskena e të cilave nuk është krejt e qartë”, ka thënë Krasniqi.

Kryeministri Thaçi në një deklaratë në Kuvendin e Kosovës deklaroi se, “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është e tejkaluar”.

Por, në një prononcim gjatë së dielës për Top Channel, ai deklaroi se në emërtimin e Kosovës në nismat rajonale “do të përfshihet deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008; opinioni i GjND-së (që thotë se: Kosova nuk shkeli ligjin ndërkombëtar kur shpalli pavarësinë) dhe rezolutën 1244, që sipas tij garanton integritetin territorial të Kosovës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA