Kryeministri Sali Berisha u shpreh në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se “ky dimër i veçantë që përfshiu vendin testoi funksionimin e institucioneve dhe administratës shtetërore, vendore dhe qendrore” dhe sipas tij ky test “u kapërcye me seriozitet të madh”.
“Dua të falenderoj qytetarët e qarqeve, qeveritë vendore dhe deputetët, strukturat e institucioneve qendrore për angazhimin e tyre total dhe eficent në përballimin e një situate të paprecedent në 27 vitet e fundit. Ky ka qenë operacioni i emergjencës më masiv në histori, i shtrirë nga alpet e veriut deri në vargmalet e juglindjes së vendit”, theksoi Berisha.
Më tej, kreu i Partisë Demokratike shtoi: “Ky mot shkaktoi 560 viktima në Europë. Falenderoj kryetarët e komunave që jashtë çdo lloj sensi politizimi bashkëpunuan në harmoni me shtabet e qarqeve dhe shtabin qendror.”
Berisha sulmoi edhe kreun e opozitës, Edi Ramën: “Shpreh dhimbjen time që në disa qarqe më raportuan se asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk i kishte vizituar. I garantoj qytetarët shqiptarë se kjo ka ndodhur mbi bazën e një urdhri absurd të dhënë nga kryetari i tyre dhe jo se nuk kanë dashur të vizitojnë zonat në vështirësi.”
“Në një kohë rekord u hoqën miliona metra kub dëborë nga rrugët dhe janë nxjerrë nga izolimi rreth 90 komuna dhe bashki. Gjithsesi ka ende një numër komunash që janë të bllokuara në veri të vendit”, shtoi kryeministri.
Top Channel