Sheshet kryesore të Athinës ende nuk po gjejnë qetësi. Pas protestave të së shtunës nga mijëra studentë të revoltuar me reduktimet e buxhetit në arsim, sheshi para parlamentit është mbushur përsëri me mijëra sindikalistë të unioneve të sektorit privat dhe atij shtetëror që kundërshtojnë reformat e ashpra, vetëm disa orë para samitit të ministrave të Eurozonës që pritet të miratojë paketën e shpëtimit për Greqinë prej 130 miliard euro.
Më herët kabineti Papadhimos, ka miratuar reduktimet e reja me një vlerë prej 325 milion euro, si kusht i fundit që kërkonin partnerët europainë për dhënien e ndihmës dhe Athina shkon nesër në Bruksel me shpresë se pas shumë anullimesh, vonesash, kërkesash dhe garancish politike të kërkuara nga BE, më në fund do të marrë ndihmën aq të shumëpritur, përndryshe do të falimentojë.
Sipas programit të ri të reformave janë: 79 masa të ashpra që qeveria do të duhet t’i verë në zbatim në dhjetë ditët e ardhshme. Midis tyre reduktimi me 22% i pagës minimale, me 12% i pensioneve mbi 1300 euro, pushimi nga puna i mijëra nënpunësve të administratës.
Edhe në protestat e sotme nuk kanë munguar thirrjet dhe pankartat kundër kancelares Merkel dhe presidentit Sarkozi.
“Gjermania do ta ndihmojë Greqinë, por Athina është fajtore për vonesën e reformave”, ka deklaruar Ministri gjerman i Financave, në një intervistë për gazetën e së dielës “Tagesspiegel am Sonntag”.
“Shpërthen” Papulias
Për sa i përket deklaratave tepër të ashpra të presdienti grek Papulias se, “Nuk lejoj asnjë që të përqeshë vendin tim. Kush është z. Schauble? Kush janë hollandezët dhe finlandezët”, ai përgjigjet “Nuk njoh asnjë zotëri Schouble që do të bënte dicka të tillë”.
Përkundrazi ministri gjerman thekson se gjithë kolegët e tij të Eurozonës nuk vendosin kushte, por japin një betejë për stabilizimin e euros dhe vecanërisht të Greqisë duke kërkuar garanci nga ajo që të zbatojë reformat për të cilat ka rënë dakord, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.
Zyrtarë të lartë të Eurozonës vlerësojnë se shanset për një marrëveshje në samitin e së hënës janë pak më të larta se 50%, ndërsa përpjekjet më të mëdha bëhen për të ulur borxhin grek në vitin 2020, në më pak se 120% të PBB, nga 160% që ka shkuar në ditët e sotme.
Top Channel