Apel për identifikimin e të pushkatuarve

19/02/2012 00:00

Familjarë të personave të pushkatuar nga regjimi komunist , i bëjnë apel qeverisë të përshpejtojë procedurat për identifikimin e eshtrave të gjetura në Malin e Dajtit.

“Jemi këtu në kujtim të njerëzve tanë të dashur që meritojnë të drejtën universale për të patur edhe ata një varr. Të ketë më tepër angazhim, më tepër përkushtim. Me këtë detyrë fisnike por shumë dinjitoze për kombin të gjenden këta njerëz, të kenë dhe ata të drejtën e tyre për një mbishkrim mbi sipër dhe të ketë një provë materiale për të gjithë shoqërinë për cka ndodhur gjatë regjimit komunist”, thotë Niklin Kurti, nipi i dom Shtjefen Kurtit.

“Vazhdoj të pres një përgjigje nga qeveria për identifikimin e këtyre eshtrave për atë që unë mendoj se ishte babai im, ose cka mendoj se ka ngelur prej tij. Anëtarët e togës së shoqërimit ose pushkatimit të gjithë patën ndërgjegjen, mirësinë dhe erdhën më shoqëruan, më treguan cdo gjë në lidhje me ato momente të fundit, ishin njerëzorë në kuptimin se si u sollën me mua dhe pres identifikimin akoma”, shprehet Jovan Plaku, i biri i Koç Plakut.

“Ne këtu nuk na mbledh dhe nuk duhet të na mbledhë aq shumë kujtimi i të vdekurve se sa kujtesa e të gjallëve. Ne duhet të dimë atë kujtim të hidhur, atë realitet të hidhur cnjerëzor që kemi jetuar. Na vret më shumë heshtja e të gjallëve, heshtja e këtyre që duhet të flasin, që dinë dhe që duhet të flasin”, thotë ish i burgosuri politik, Amik Kasoruho.

Sipas të dhënave rezultojnë rreth 6000 persona të pushkatuar nga regjimi komunist që ende nuk kanë një varr të tyrin, por disa prejt tyre janë gjetur të groposur në Malin e Dajtit, e të tjerë ende nuk dihen.

Top Channel