Gjykata e Lartë ka pushuar çështjen gjyqësore në ngarkim të jordanezit Hamzeh Abu Rayyan, nën akuzë për fshehje të fondeve dhe pasurive të tjera që financojnë terrorizmin, çka do të thotë se pas pesë viteve proçese gjyqësore, ai fiton pafajësinë.
Në vijim të vendimit të saj, Gjykata e Lartë thotë se kolegji penal ka vendosur prishjen e vendimit të gati një viti më parë, shpallur nga Apeli i Krimeve të Rënda që e dënonte administratorin e pronave të sheikut Yasin Al Kadi me 4 vjet burg, si dhe prishjen e vendimit të vitit 2009 të Gjykatës së shkallës së parë të Krimeve të Rënda, që e shpallte fajtor dhe e dënonte me tre vjet në liri me kusht.
Nuk dihet ende nëse pushimi i çështjes ndaj administratorit të pronave të Yasin Al Kadisë, ky i fundit pjesëtar i listës së OKB si i dyshuar për financim terrorizmi, është bërë me argumentin se fakti nuk ekziston, thanë avokatët e Hamzeh Abu Rayyan, apo se nuk është provuar fajësia e 49-vjeçarit jordanez.
Në vendimet e mëparshme të dy shkallëve më të ulëta, shpjegohet se Hamzeh Abu Rayyan ka qenë administrator i shoqërisë “Loxhall” me ortak të vetëm shtetasin arab Yasin Al Kadi. Në pronësi të kësaj shoqërie, sipas gjykatës, ishin 19 objekte mes të cilave disa magazina në Laprakë dhe dyqane në rrugën e Durrësit.
Por në kuadër të masave të luftës kundër terrorizmit, pronari i shoqërisë Yasin Al Kadi u shpall si person i grupit të personave që kishin lidhje me financimin e terrorizmit. Në vitin 2004 këto asete u sekuestruan, por deri më 2006-ën nuk u bë e mundur marrja e tyre nën administrim.
Përgjatë periudhës 2005-2006, thotë prokuroria, këto prona janë dhënë me qera nga administratori Hamzeh Abu Rayyan. Akuza ka nisur veprimet hetimore pas një kallëzimi të bërë nga Drejtoria e përgjithshme e parandalimit të pastrimit të parave.
Top Channel