Pagesat e sigurimeve vetëm sipas ligjit

18/02/2012 18:25

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhënë vetëm një ditë më parë i ka dhënë zgjidhje fluksit të madh të cështjeve civile në gjykata që kanë të bëjnë me pagesat e dëmeve pas aksidenteve rrugore.

Gjykata e Tiranës ka vërejtur se shumë cështje të regjistruara pranë saj kanë të bëjnë me përplasje ligjore mes ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit dhe një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë marrë në vitin 2007.

Gjykata Kushtetuese në argumentimin e vendimit të dhënë të premten, përcakton qartë se prioritar në këtë rast është ligji. Në shpjegimin e vendimit thuhet se rendi juridik nuk është një radhitje e barazvlefshme normash, por një sistem hierarkik, një piramidë aktesh normative ku në majë të saj qendron Kushtetuta e cila përbën burim për aktet e tjera juridike, evidenton përparësinë që marrin ligjet e parlamentit shqiptar mbi të gjitha aktet e tjera.

Në këtë mënyrë është zgjidhur përfundimisht ky konflikt që rëndonte shumë, vecanërisht mbi klientët e kompanive të sigurimeve, por edhe mbi vetë kompanitë. Per shkak të përplasjes se normave ligjore cështjet në gjykatë zgjaten duke u kthyer në objekt të kritikave për abuzime. Si rrjedhojë e këtij arsyetimi kushtetues shmanget qendrimi me dy standarde që gjykatat shqiptare mbanin në praktikën gjyqësore duke u bazuar në një vendim unifikues që interpreton një ligj të shfuqizuar dhe nuk zbatonin ligjin që parlamenti shqiptar kishte miratuar në vitin 2009.

Qendrimi i Gjykatës Kushtetuese është përputhur edhe me qendrimin e qeverisë dhe Ministrisë së Financave si palë e interesuar në këtë gjykim kushtetues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA