Kodi Zgjedhor, PS: Të ndalohen me ligj reklamat qeveritare

17/02/2012 00:00

Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore thotë se ky komision tashmë ka hyrë në një zonë të nxehtë.

Kjo u pa qartë gjatë mbledhjes së fundit të komisionit ku pati kundërshti për propozimet e socialistëve që lidhen me kufizimin e reklamave të institucioneve publike të financuara nga paratë e takspaguesve, siç edhe kërkohet në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

“Kemi filluar në atë që quhet zonë e nxehtë e Reformës Zgjedhore. Po kalojmë në kapituj që përgjithësisht ka patur kritika me zgjedhjet në Shqipëri dhe ku palët kanë qëndrime të ndryshme.Një nga këto ishte edhe sot çështja e mediave në fushatën zgjedhore. Në Shqipëri ka një praktikë, që disa muaj përpara fushatës, qeveria fillon dhe shpenzon miliona euro duke blerë fushatë televizive në favor të saj. Gjoja nën petkun e publicitetit dhe informimit të publikut, aty jepen mesazhe të qarta politike. Komisioni i Venecias dhe ODIHR rekomandojnë qartë që reklamat qeveritare duhet të jenë neutrale, do të thotë vetëm për informim i publik. Ne kemi propozuar që nga dalja e dekretit të Presidentit deri në ditën e zgjedhjeve reklamat qeveritare të jenë vetëm ato elemente që kanë të bëjnë me ligjin. Informimi i zgjedhësve për të drejtën e tyre zgjedhore, mund të jenë elementë që parashikon ligji, si njoftimi për tendera publikë apo çështje të tjera që parashikon ligji. Ndërkohë pjesa e reklamave qeveritare duhet të ndalohet”, tha Gjiknuri.

Deputeti Gjiknuri vijueshmërinë e punës së Komisionit dhe miratimin në kohë të reformës zgjedhore e lidh ngushtë me qëndrimet që do të mbajë mazhoranca.

“Shpresoj nëse ka vullnet do të gjejmë konsensus për ato pika që tashmë janë të ditura dhe të kritikueshme, si çështja e listave të zgjedhësve, që kërkon pastërti dhe integritet, si çështja e administratës zgjedhore, e cila kërkohet qartë nga opinionet e vëzhguesve ndërkombëtarë, që kërkojnë që duhet të riformatohet, duhet të balancohet, duhet të jetë më neutrale nga politika, siç është cështja e identifikimti të zgjedhësve apo edhe vetë çështja e sistemit, e cila është një cështje e hapur. Vërtetë nuk ka qenë një kusht për reformën zgjedhore, me të vërtetë që nuk ka një rekomandim speficik, por është një cështje e debatueshme dhe e hapur”, tha Gjinkuri.

Por cila do të jetë kostoja nëse në ditët në vazhdim nuk do të arrihet kompromisi për çështje të rëndësishme, siç janë riformatimi KQZ-së apo për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Reforma zgjedhore është prioritet kyç që do të përcaktojë edhe fatin e Shqipërisë për Bashkimin Evropian. Ne nuk duhet ta humbim këtë shans për kaprico politike apo për të mbajtur ato domeine të paligjshme mbi procesin zgjedhor. Eshtë koha që qeveria e ka mundësinë të tregojë kompromis aq më tepër, që kemi edhe një vendim të Kuvendit, ku qeveria angazhohet për kompromis me opozitën, ditën e propozimeve të saj”, tha Gjiknuri.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta