Marlon Dino është solist kryesor në teatrin e Mynihut. Nxënës i shkollës shqiptare të baletit, në vitin 1998 ai iu bashkua Qendrës të Baletit të Gjenevës.
Tre vjet më vonë hyri në trupën e baletit të Operas shtetërore të Vjenës, kurse një vit më vonë u transferua në Mynih. Në këtë teatër në vitin 2005 u bë solist dhe në sezonin 2009-2010 balerin kryesor. Si i ftuar special në rivënien në skenë të Zhizelit, Marlon Dino do të luajë rolin e Albrehtit, që bie në dashuri me Zhizelën.
Ai është në Shqipëri, pas kërkesës së Greta Hushit për ta pasur partner:
“Doja një partner me eksperiencë që të më ndihmonte dhe të kishte frymë europiane”, thekson Hushi.
“Do doja të vija edhe më parë në Shqipëri dhe sa me dhanë mundësinë erdha menjëherë”, daklaron Dino.
Por, godina e teatrit nuk është edhe aq mikpritëse. Provat zhvillohen në një sallë të ftohtë kallkan.
“Është shumë ftohtë, kushtet nuk janë, por balet është bërë gjithmonë dhe gjithmonë do të bëhet. Salla do të ngrohet dhe publiku do të provojë emocione nga ky artist i madh me famë siç është Marlon Dino”, theksoi koreografi Agron Aliaj.
Kuriozitet apo jo, natën e shfaqes publiku është i pranishëm. “Zhizel” është historia e dashurisë së pamundur mes një fshatareje të re me Albrehtin, një i ri nga një familje e kamur, i fejuar me një vajzë tjetër. Përpara varrit të Zhizelës, Albrehti është i dënuar të kërcejë deri në vdekje. Por Zhizel, që vjen nga bota e përtejme, arrin ta shpëtojë atë nga ky mallkim.
Ndonëse e përgatitur në kushte të vështira, shfaqja ia arriti të ngjallë emocione.
“Mezi e kemi pritur të vijë në Shqipëri. E kemi parë edhe jashtë shtetit, por këtu në Shqipëri na pëlqeu më shumë”, shprehen prindërit e balerinit të shquar.
Tek e fundit, emra të tillë si Eno Peçi, solist në Vjenë, Edi Blloshmi, solist i parë në Montreal, Erion Kruja, balerin në një kompani private në Londër, apo Marlon Dino, solist i parë në Mynih, kanë dalë të tërë, nga shkolla shqiptare e baletit.
Top Channel