Në garë për t’u përzgjedhur si kandidati zyrtar i republikanëve në garën presidenciale të SHBA-ve, Rick Santorum sulmoi Whitney Houston, në një intervistë për “CNN”.
I njohur për qëndrimin e tij ultra-konservator, Santorum debatoi në studiot e rrjetit amerikan mbi tendencat e kohërave moderne dhe rolin që luajnë në shoqëri ikonat e Hollivudit dhe muzikës pop.
Duke folur për vdekjen tragjike të Houston, Santorum shprehu keqardhjen për ndarjen nga jeta të një këngëtarejeve të madhe, por theksoi se “ajo nuk u ngrit kurrë në rolin e pritur prej saj, si një njeri që duke qenë idhull i miliona të tjerëve, ka në dorë të krijojë një ndryshim real dhe të prekshëm”.
Sipas senatorit të Pensilvanisë, njerëz si Whitney duhet të jenë më të përgjegjshëm me jetën dhe imazhin e tyre, në mënyrë që të japin shembullin e duhur, për të shoqërinë amerikane.
Whitney Houston ndërroi jetë të dielën e 11 shkurtit, në një hotel në Los Anxhelos, në rrethana ende të paqartësuara. Ajo vuante prej kohësh nga depresioni dhe nga varësia prej substancave narkotike.
Rick Santorum, përkrah Romney, Paul dhe Gingrich, është një prej katër rivalëve të mbetur, që shpresojnë të fitojnë emërimin zyrtar për të rivalizuar presidentin në fuqi, Barack Obama.
Top Channel