Reshjet e dendura të borës kanë bllokuar disa akse të tjera rrugore. Sipas informacioneve të fundit, e pakalueshme është Qafa e Llogarasë, ku mungojnë borëpastrueset, si dhe aksi Vlorë-Himarë, ku mjegulla ka bërë të vështirë qarkullimin.
Në qarkun e Vlorës reshjet e borës bien me një intensitet të lartë që nuk regjistrohej prej 30 vjetësh. Ndërkohë, bora ka bllokuar edhe rrugën Kapshticë-Kozan.
Në qarkun e Korçës, komunat Çlirim, Novoselë, Dardhas, Gore dhe Lekas janë të izoluara. Gjithashtu, reshjet e borës vijojnë me intensitet në Qafë Thanë dhe Qafë Plloçë. Ndërkohë, të bllokuara rezultojnë edhe disa akse në Gjirokastër.
Nishani: Ja akset e kalueshme
Mbrëmjen e së mërkurës, ministri i Brendshëm Bujar Nishani bëri një pasqyrë të rrugëve të zhbllokuara në të cilat mund të lëvizet. Sipas Nishanit, falë punës së strukturave të posaçme shtetërore u bë e mundur hapja e të gjitha akseve nacionale në qarkun e Shkodrës.
“Aksi Shkodër-Pukë është i hapur dhe qarkullohet. Aksi Pukë-Fushë Arrëz është i hapur dhe qarkullohet. Gjithashtu, është hapur qendra e komunës Qafë Mali, si dhe 8 km drejt komunës Iballë, që është ndër më të vështirat dhe ku vijon puna”, deklaroi Nishani.
Ministri i Brendshëm theksoi se, ishte punuar gjatë gjithë ditës dhe se ishin hapur edhe 4 km drejt komunës Qelëz, por sasia e madhe e akullit e kishte vështirsuar punën.
“Në zonën e Dukagjinit është hapur rruga deri në Prekal dhe parashikohet që deri nesër pasdite të shkohet deri në Kir. Ndërkohë, komuna Shllak po punon me mjete që ka kontraktuar me fondin e emergjencës dhe nga Komiteti i Emergjencave”, nënvizoi Nishani.
Ministri bëri gjithashtu të ditur se po punohej për lidhjen e aksit Vermosh-Guci, ndërkohë që shtoi se përmes helikopterëve të ushtrisë u bë i mundur transporti i disa të sëmurëve nga fshatrat Temal dhe Bregu i Lumit në komunën Shalë.
Përsa i përket qarkut të Kukësit, ministri saktësoi se Rruga e Kombit është plotësisht e kalueshme dhe pa vështirësi, ndërkohë që është punuar gjithashtu në segmentin Shën Mëri-Qafë Mali, që është hapur deri në Qafë Shllak.
“Është punuar në segmentin Kukës-Domje-Bushtricë dhe është hapur deri në Gjonaj. Ndërkohë, vijon puna për hapjen e mëtejshme në drejtim të Peshkopisë, pasi është një ndër akset më të vështira dhe për këtë janë përqendruar forca dhe mjete të mëdha të ushtrisë. Gjithashtu, është punuar në segmentin që lidh Zapodin me Shishtavecin dhe Topojanin dhe është hapur rruga deri në Topojan. Segmenti Kukës-Krumë-Qafë Prush është i kalueshëm me zinxhirë, ndërsa qendrat e komunave Tërthore, Shtiqën, Bicaj, Mal zi e Kolsh janë hapur tërësisht”, pohoi Nishani.
Përsa i përket qarkut të Dibrës, ai nënvizoi se tw gjitha akset nacionale janë të hapura dhe të kalueshme. Zoti Nishani theksoi se, është punuar nga drejtoritë rajonale të rrugëve, nga kontraktorët nga forcat e ushtrisë dhe është bërë e mundur që gjatë ditës së martë të hapen akset: Peshkopi-Muhurr-Sinë-Arras, Peshkopi-Kastriot-Trajak dhe segmenti Ura Çerenecit-Kallm për në Kalanë e Dodës.
Top Channel