Aksident në sheshxhirimin e James Bond

15/02/2012 11:45

Një makinë ka përplasur një nga figurantët në momentin që po xhirohej një skenë ndjekjeje për filmin më të fundit të James Bond me titull Skyfall. Ngjarja ndodhi në Londër.

Regjisori i filmit, Sam Mendes, ndodhej në makinën që shkaktoi aksidentin në momentin e incidentit dhe i plagosuri është dërguar menjëherë në spital.

Skena e aksionit përfshinte rreth 75 automjete të pilotuara nga dublantë dhe në një nga këto ishte edhe aktorja Judi Dench, e cila në film interpreton M-në, shefen e agjentit 007.

Burime për ‘The Sun’ shprehen se i lënduari është në gjendje të mirë shëndetësore.

Daniel Craig, aktori që interpreton të famshmin James Bond, nuk ishte i pranishëm në sheshxhirim.

Top Channel