Brazili grumbullon Ronaldinho-n

14/02/2012 20:00

Ronaldinho do të jetë pjesë e kombëtares së Brazilit për ndeshjen e parë të Seleçaos në vitin 2012, miqësoren ndaj Bosnje-Hercegovinës që do të zhvillohet në Zvicër, më 28 shkurt.

Tekniku Mano Menezes e ka grumbulluar sulmuesin e Flamengos, por nga ana tjetër ka lënë jashtë Kaka’, mesfushorin e Real Madrid.

“E kam grumbulluar Ronaldinho sepse po mendoj për një projekt afatgjatë dhe jo vetëm për momentin jo të mirë që ai po kalon tek Flamengo. Ndërsa nuk kam një shpjegim për mosthirrjen e Kaka’. Është çështje opinionesh dhe unë mendova të mos e grumbulloja”, sqaroi Menezes.

Menezes shpërndau sot një listë pa surpriza të mëdha dhe deklaroi se pasi ka provuar shumë lojtarë gjatë vitit të kaluar ka ardhur momenti që të mbajë një bazë lojtarësh nga të cilët do të përzgjedhë skuadrën e botërorit “Brazil 2014”.

Në listë bie në sy përfshirja e shumë futbollistëve të talentuar që luajnë në Brazil si Neymar (Santos), Leandro Damiao (Internacional), Paulo Henrique Ganso (Santos) dhe Lucas (Sao Paulo).

Ja lista e të grumbulluarve të Mano Menezes për miqësoren ndaj Bosnje-Hercegovinës:

Portierë: Julio Cesar (Inter), Diego Alves (Valencia), Rafael (Santos)
Mbrojtës: Daniel Alves (Barcelona), Danilo (Porto), Marcelo (Real Madrid), Alex Sandro (Porto), Adriano (Barcelona), Dedé (Vasco), Luisão (Benfica), Thiago Silva (Milan), David Luiz (Chelsea)
Mesfushorë: Elias (Sporting), Hernanes (Lazio), Fernandinho (Shakhtar Donetsk), Sandro (Tottenham), Ganso (Santos), Lucas (San Paolo)
Sulmues: Neymar (Santos), Ronaldinho Gaúcho (Flamengo), Hulk (Porto), Jonas (Valencia), Leandro Damião (Internacional)

Top Channel