Berisha mbledh emergjencën, sulmon Ramën

14/02/2012 00:00

Kryeministri Berisha zgjodhi të drejtojë vetë mbledhjen e Komitetit të Emergjencës Civile, i ngarkuar me përballimin e situatës së rënduar të shkaktuar në shumë zona të vendit për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.

Në fjalën e tij, kryeministri ritheksoi se parësore për punën e Komitetit të Emergjencës duhet të jetë shpëtimi i jetëve njerëzore. Berisha vlerësoi punën e dikastereve përkatëse në përballimin e situatës dhe shtoi se të gjitha strukturat, në vecanti shëndetësia për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve dhe ushtria për shpërndarjen e ndihmave në zonat e izoluara, janë të përgatitur.

Kryeministri tha se po bëhet një punë e jashtëzakonshme për mbajtjen në funksionalitet të plotë të akseve kombëtare dhe si shembull solli punën në Rrugën e Kombit, e bllokuar një ditë më parë për shkak të dëborës së rëndë.

Por nga mbledhja e Komitetit Berisha gjeti kohë t’u kthejë përgjigje edhe kritikave të opozitës dhe të liderit të saj, Edi Rama duke akuzuar atë se po keqinformon publikun në paraqitjen e situatës. “Rama është i vetmi që po bën korbin në Europën e mbuluar nga dëbora. Ai po dezinformon publikun për situatën”, tha Berisha.

Përgjigja e Ramës në “Twitter”

Me pas ka reaguar përmes rrjetit social Twitter edhe kryesocialisti Edi Rama, i cili thekson se kryeministri vazhdon të shkrehet kundër opozitës në një kohë kur Shqipëria po digjet nën deborë e braktisur nga shteti i shthurur i tij.

Për zotin Rama “qeveria dhe kryeministri nuk kanë asnjë informacion, asnjë plan për krizën vetëm blozë dëshpërimi mbi opozitën për të mbuluar dëborën që mban peng vendin”, shkruan më tej kryesocialisti.

Më tej Edi Rama thekson se “opozita ka një plan konkret për krizën dhe informacion të detajuar e të plotë”. Sipas tij duhet një vullnet për bashkëpunim që qeveria akuale nuk e ka. Por kjo shkruan zoti rama në Twitter nuk do ta pengojë opozitën të bëjë të sajën në këtë situatë të rëndë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA