Topalli, vizitë zyrtare në Liban

13/02/2012 18:40

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Liban, u kërkoi autoriteteve më të larta libaneze njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ky është dhe qëllimi kryesor i vizitës së kryeparlamentares në Bejrut, ku është takuar me presidentin e Libanit, Mishel Sulejman, si dhe me homologun e saj Namih Berri.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se, “Rajoni ballkanik ka vuajtur shumë nga luftrat dhe genocidet por, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ky rajon reflekton paqe dhe stabilitet”.

Deri tani Kosovën e kanë njohur 87 vende dhe zonja Topalli shprehu opinionin e Tiranës zyrtare se njohja nga Libani do të ishte një kontribut shumë i rëndësishëm që vjen nga një vend i Lindjes së Mesme.

Gjatë qëndrimit në Bejrut është rënë dakort që të firmosen të gjitha marrëveshjet e nevojshme për konsolidimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Gjatë takimit me shoqatat e industrialistëve dhe investitorëve libanezë, zonja Topalli u njoh me vendimin e tyre për të vizituar Shqipërinë në muajin maj, kur sipërmarrësit nga Libani do të shohin nga afër mundësitë që ofron Shqipëria për investime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA