Shitjet me pakicë, rënia përkeqësohet

13/02/2012 08:00

Shitjet me pakicë në Shqipëri vijuan ecurinë e tyre negative gjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar, duke rënë me 5.5 për qind në volum, rënia më e madhe e shënuar në shumë kohë. Lajmi bëhet i ditur nga Instituti i Statistikave.

Gazeta ‘Shqip’ publikon se shitjet me pakicë filluan të tronditen në mars 2011 dhe vijuan të jenë më të dobëta se një vit më parë së paku deri në shtator, kur është edhe e dhëna e fundit e publikuar nga INSTAT. Ky qe tremujori i tretë radhazi që shitjet me pakicë shënojnë rënie, një fenomen që nuk ka ndodhur pothuajse kurrë më parë, që kur indeksi filloi të përpilohej shumë vite të shkuara.

E ndarë në kategori, vërehet se shqiptarët vijuan të kursejnë te mallrat që mund të konsiderohen si luks, për t’u përqendruar te konsumi i mallrave të domosdoshme. Kështu, shitja e ushqimeve në dyqanet e paspecializuara vijoi të rritet së bashku me shitjet e mallrave të tjera. Por shitjet në dyqanet e specializuara të ushqimeve ranë me 13 për qind në terma vjetorë. Goditjen më të madhe duket se e kanë pësuar mallrat e kulturës.

Grupi “libra e gazeta të tregtuara në njësi të specializuara” shënoi rënie me 35 për qind në terma vjetorë. Shitja e veshjeve, këpucëve dhe mallrave të tjera prej lëkure, të cilat mund t’i klasifikojnë si shpenzim jo i ngutshëm, shënoi rënie me 10 për qind. Ndërkohë, shitja e pajisjeve shtëpiake shënoi rritje me 10 për qind, tremujori i parë pozitiv për këtë sektor në më shumë se një vit. Rritja më e madhe raportohet në tregtinë me pakicë të karburanteve për makinat, me 69 për qind dhe te shitja dhe mirëmbajtja e automjeteve, me 40 për qind.

Pakësimi i shitjeve me pakicë reflekton situatën e përgjithshme të vështirë të ekonomisë private në Shqipëri, pasi dëshmon nga njëra anë fuqinë e dobët blerëse të popullsisë dhe nga ana tjetër, të ardhurat e pakta të dyqanxhinjve. Dyqanxhinjtë në Shqipëri kanë një numër të konsiderueshëm të të punësuarve. Periudha gjatë së cilës u shënua rënia përkon me sezonin turistik, gjë që do të thotë se edhe turizmi gjatë vitit 2011 eci keq, pavarësisht rritjes së numrit të vizitorëve të regjistruar në pikat kufitare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA