Momentet e fundit të Houston

13/02/2012 00:00

Teksa priten të bëhen publike zyrtarisht shkaqet që çuan në vdekjen tragjike të këngëtares, Whitney Houston mediat në mbarë botën kanë nisur të publikojnë imazhet e fundit të saj.

Tabloidi britanik “The Sun” në një raport të gjatë përcjell detaje të dy ditëve e netëve të fundit të këngëtares duke e shoqëruar atë me imazhe që tregojnë diva-n e muzikës nën efektin e alkoolit. E pas disa netëve, ku nuk kishte kursyer përdorimin e pijeve alkoolike, sipas raportit të “The Sun”, një ndër vokalet më të mirë të botës është gjetur me fytyrë në ujë në tualetin e dhomës së hotelit ku po qëndronte.

Madje jo vetëm kaq, mësohet se pranë saj në shutën e hotelit, janë gjetur edhe pilula të ngjashme me ato që ka përdorur i ndjeri Michael Jackson në momentin që ndërroi jetë në shtëpinë e tij.

Përkundër raporteve të një dite më parë që ishte i dashuri i saj i momentit, ai që e kishte gjetur këngëtaren pa jetë, në raportin e fundit të “The Sun” theksohet se ka qenë parukierja e saj personale dhe asistentët shoqërues të këngëtares të cilët qëndronin në një prej 4 kateve të suitës ku ishte Houston që e kanë gjetur këngëtaren pa jetë në tualet, me kokën të futur në ujë.

Pranë saj janë gjetur disa shishe me medikamente të ndryshme përfshirë edhe “Lorazepam”, “Valium” dhe “Xanax”, të cilat mendohet se këngëtarja i përdorte për të luftuar pagjumësinë, për t’u qetësuar dhe për të larguar ankthin.

Po sipas të njëjtit raport, pasi kishte marrë këto qetësues të fortë, këngëtarja është përgjumur teksa ishte në kontakt me ujin. Por më heret, ajo kishte kaluar një mbrëmje ku nuk e kishte kursyer alkoolin. Dhe sipas mjekëve, pilula të tilla, njësoj si ato që kishte marrë edhe Michael Jackson, kur përzihen me alkool mund të të shkaktojnë komplikacione tepër të mëdha.

Sipas “The Sun”, nga burime jo zyrtare mësohet se parukierja dhe dy truprojat e saj kanë pohuar se Houston ka kaluar mëse 1 orë në tualet përpara se ata të shkonin për të parë ç’po ndodhte, moment kur e kanë gjetur pa jetë.

Telefonata e emergjencës mësohet të jetë bërë në orën 3.43 minuta të mëngjesit të së dielës dhe dy minuta më vonë ka ardhur personeli i ndihmës së shpejtë të hotelit të cilët nuk kanë mundur të bëjnë dot asgjë për Houston pasi ajo kishte ndërruar jetë ndërkaq.

Dhjetë minuta më pas, në orën 3.55 minuta, zyrtarisht u tha se Houston kishte vdekur. Në orët e paradites të së dielës, trupi i pajetë i Whitney Houston u transportua nga hoteli drejt qendrës ku do i bëhej autopsia, drejtuesi i së cilës, Ed Winter ka pohuar: “Nuk ka shenja të traumës dhe është pak e vështirë të themi diçka të saktë për këtë çështje në këtë moment”. Ai shtoi: “Sa i takon testeve toksikologjike që duhen kryer për të zbuluar nëse në sistemin e saj ka drogë apo jo, do të duhen 6-8 javë ekzaminime deri në dhënien e rezultateve përfundimtare e zyrtare për këtë çështje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA