Superliga, Tirana mposht Teutën në Durrës

10/02/2012 19:45

Tirana ka fituar 2-1 duelin direkt me Teutën kryesuese dhe tashmë diferenca e bardhebluve me kreun është vetëm 2 pikë.

Sfida e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” u zhbllokua në favor të miqve që në minutën e 11. Bardheblutë morën kryesimin me një gol të Bekim Balës, që mbeti në fuqi deri në fundin e pjesës së parë, edhe pse rastet nuk munguan.

Pak para se skuadrat të shkonin në pushim, sulmuesi Mirel Cota riktheu barazpeshën duke entuziazmuar tifozët e shumtë durrsakë që sfiduan të ftohtin në shkallët e stadiumit.

Me rinisjen e lojës, Tirana u tregua më këmbëngulëse duke marrë sërish kryesimin, këtë herë me një autogol të pafat të vendasve. Stafa shënoi në portën e tij në minutën e 57, duke vulosur sfidën kryesore në dëm të Teutës.

Në minutat e fundit, protestat e kapitenit të Tiranës, Elvis Sina, tek arbitri kryesor i kushtuan kartonin e dytë të verdhë mbrojtësit që la fushën.

Teuta kryeson me 32 pikë pas 14 ndeshjesh ndërsa Tirana në vendin e dytë, ka aktualisht 30 pikë.

Sfida tjetër e kësaj të premteje në Kategorinë Superiore, ajo mes Laçit dhe Vllaznisë doli 1-0.

Ndeshja u luajt në Krujë për shkak të pezullimit të fushës së kurbinasve dhe u vendos nga goli i Hysës që në minutën e gjashtë.

Top Channel