Këtë javë kuptuam që nuk është kriza ekonomike problemi më i madh që kemi. Politika nuk ishte bërë kurrë kaq “rozë” ose mbase kaq “rozë” ka qenë gjithmonë.
Me siguri asnjë këngëtar apo personazh publik në Shqipëri nuk ka ndjekur mbledhjet e komisioneve parlamentare, aq më pak atë të ligjeve. Ciljeta, Greta Koçi dhe së fundmi Bleona kanë mbështetur një iniciativë sipas të cilës këngëtarët dhe artistët na qenkan viktima të një agresioni të pamëshirshëm mediatik, madje në Shqipëri fundjava është e mbushur me shpifje, trillime dhe imagjinata nga më vulgaret për ta. Ndaj është i domosdoshëm një amendim i ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Në fakt, në historinë e shtypit shqiptar dhe mbi të gjitha në fushën e lajmeve “rozë” ndonjë ekzagjerim edhe mund të ketë patur mirëpo fakt është që ndryshimi mes numrit të akuzave për shpifje dhe numrit të gjyqeve për shpifje është thellësisht i madh. Ka një mori me histori që janë lënë të ndërprera apo lajme që kanë qarkulluar si të vërteta dhe që nuk janë konfirmuar kurrë.
Ajo që bie në sy është se shumica e titujve janë deklarata të bëra nga personazhet publikë për njëri-tjetrin. Deklarata e fundit e Genta Ismajlit se këngëtarët janë shumë të aftë për intriga është për tu mbajtur shënim.
Spekullime ka pasur si në rastin e një plagosjeje të përfolur të Ingrit Gjonit. U tha që atë e kishin goditur me thikë në një lokal, por shtatzëna doli në ekran dhe nxorri barkun e saj të pashenjuar.
Domenika Caushi deklaroi se i dashuri i saj, Seldi Qalliu, kishte një lidhje me këngëtarin Sinan Hoxha. Jo pak u turbullua publiku mirëpo në dyert e gjykatave nuk u duk askush.
Miliona ka kërkuar Adelina Ismajli kur u përfol vdekja e saj. Të paktën 500 mijë euro kërkoi kosovarja nga disa media që kishin cituar një burim anonim. Sot e kësaj dite bukuroshja është gjallë, por paratë i ka fituar në mënyra të tjera.
Sigurisht ka edhe një kategori thashethemesh që mbeten në ajër, siç është rasti i lidhjes së Flori Mumajesit me Elvana Gjatën apo historia interraciale e këngëtares Linda Halimi.
Sot e tutje, gazetat dhe suplementet e fundjavës do të flasin vetëm për arritjet e “mrekullueshme” të VIP-ave tanë, do të flasin për këngët e tyre “cilësore”, zërat e “mrekullueshëm” apo për notat e kapura të cilat ne as nuk mund t’i imagjinojmë.
Thashethemet t’i harroni, përjashto rastin kur këngëtarët do të përgojojnë njëri-tjetrin publikisht.
Top Channel