Ndarja territoriale, propozim për ndryshim

10/02/2012 08:15

Njëzet vjet më parë, Shqipëria vendosi ndarjen territoriale të vendit në dy nivele, bashki dhe komuna, një ndarje kjo centralizuese, e cila duket se la pasoja katastrofike në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Instituti i Statistikave njoftoi dje, siç raportoi e përditshmja “Shqip”, se ka ndër mend të kryejë një studim bazuar në rezultatet e censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, studim që mund t’i paraprijë rishikimit të ndarjes administrative dhe territoriale të vendit.

Ideja mbi studimin “topologjia e komunave/bashkive dhe aglomerimet e Shqipërisë” u prezantua dje nga Ervin Shameti i sektorit të hartografisë të INSTAT-it.

Sipas propozimit, studimi mund të sjellë “mbështetje për një rishikim të mundshëm të ndarjes administrativo-territoriale, përafrim të përkufizimeve të hapësirave urbane dhe rurale me standardet e Bashkimit Europian, si dhe një analizë duke përdorur sistemin e informacionit gjeografik.”

Nëse bëhet realitet, një ndarje e re administrative e vendit pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në jetesën e shqiptarëve.

Një studim tjetër i ndërmarrë nga INSTAT-i synon të analizojë shtrirjen urbane dhe perspektivat e qendrave urbane. Ideja e studimit u prezantua dje nga Nexhmije Leçini, gjithashtu nga sektori i hartografisë.

“Atje ku dominon një decentralizim i paplanifikuar, shtrirja e qyteteve do të vijojë në mënyrë mekanike”, tha Leçini dje. “Atje ku rritja urbane në periferi të qyteteve është e koordinuar nga një politikë efikase, kjo mund të çojë në një zhvillim urban më kompakt”, shtoi ajo.

Sistemi aktual

Shqipëria sot qeveriset në nivel vendor nga bashkitë, të cilat menaxhojnë përgjithësisht zonat urbane dhe nga komunat, të cilat menaxhojnë zonat rurale.

Një hallkë ndërmjetëse mes tyre dhe qeverisë janë prefekturat, të cilat në praktikë kanë shumë pak pushtet real.

Ndarja e vendit në këtë mënyrë u krye fillimisht në vitin 1992, kur shqetësimet kryesore lidheshin me integritetin territorial të vendit.

Për këtë arsye, njësitë e qeverisjes vendore u bënë shumë të vogla. Vendi u nda në mbi 300 komuna dhe 65 bashki. Përveç ndarjes në njësi shumë të vogla, kjo mënyrë e menaxhimit të territorit kishte pak ose aspak lidhje me zhvillimet ekonomike.

Fshatrat, të cilat teorikisht duhet ta ndajnë fatin me qytetin/qytetet, ku shesin më së shumti prodhimet e veta ushqimore, qenë njësi administrative më vete.

Qytetet e mëdha, të cilat duhej të zgjeroheshin për shkak të urbanizimit dhe rritjes së popullsisë, praktikisht nuk kishin territor ku të zgjeroheshin.

Kaosi urban që përjetojmë sot është pjesërisht pasojë e kësaj ndarjeje territoriale. Infrastruktura bazë, rrugët e tregtisë, rrugët e shtegtimit të dhenve etj., nuk kishin kurrfarë kuptimi si koncepte në këtë ndarje administrative.

Në zonat bregdetare, për shkak se komunat kishin shumë pak fuqi ligjore, ndërtimet u përqendruan në ato pak qytete ku kishte plane urbanistike, duke sjellë përqendrim të panevojshëm të ndërtesave në një hapësirë të ngushtë, ndërkohë që pjesa tjetër e bregdetit mbeti bosh ose u kufizua në ndërtimet e vogla pa leje.

Menaxhimi i transportit publik nuk ekzistoi si koncept. Shërbimet publike urbane u bënë nga të këqija në kaotike.

Frika nga shpërbërja

Ndarja territoriale ekzistuese synonte shmangien e krijimit të njësive administrative me karakteristikat e njësive autonome që rrezikonin të ndaheshin nga Shqipëria në një rast kaosi si ato që ofronin luftërat Ballkanike të viteve ’90.

Ndarja e vendit në njësi administrative shumë të vogla e shmangte këtë rrezik, pasi realisht komunat nuk kanë ndonjë pushtet real.
Me qetësimin e Ballkanit gjatë dekadës së fundit dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, shpërbërja territoriale e vendit është zvogëluar ndjeshëm si rrezik.

Himara si dalje nga rregulli

Ndërsa në fillim bashkitë u konceptuan si njësi urbane dhe komunat si njësi rurale, gjatë njëzet viteve të fundit, shumë gjëra kanë ndryshuar.

Disa bashki të njohura njëzet vjet më parë si qytete, tashmë nuk ekzistojnë si të tilla, sepse janë zhdukur ose kanë marrë karakteristikat e fshatit.

Disa komuna sot nuk kanë më tokë për t’u marrë me bujqësi, sepse janë mbushur me ndërtime. Ndërkohë, me vendime të ndryshme ligjore, disa komuna kanë marrë titullin e bashkisë, duke krijuar kështu një njësi me fuqi menaxhimi territori, por me shtrirje komunale.

Himara është një bashki me shtrirje komune, siç është edhe Orikumi.

Çfarë mund të ndryshohet

Diskutimet se çfarë mund të ndryshohet në mënyrën e menaxhimit të territorit ende nuk kanë filluar, por ndërkohë, njësi të ndryshme të qeverisjes po heqin dorë dalëngadalë nga sistemi i vjetër.

Policia po synon të menaxhojë territorin, duke i ndarë forcat në pesë njësi të mëdha administrative, ndërsa vetë Instituti i Statistikave ka futur vitin e kaluar konceptin e “rajonit statistikor”, ku Shqipëria është ndarë në Veri, Qendër dhe Jug.

Aglomerimet/hinterland

Aglomerimet janë njësi urbane në vijimësi të njëra-tjetrës. Ky koncept përdoret sot për rajone të mëdha të urbanizuara si Tokio, Dehli apo Xhakarta, ku menaxhimi i territorit, menaxhimi i infrastrukturës urbane e shërbimeve shoqërore përbën një sfidë të vërtetë edhe pa pasur pengesat e ndarjes administrative.

Tirana me komunat përreth mund të konsiderohet si një shembull i problemeve. Bashkia e Tiranës përfundon te lumi i Tiranës dhe përtej lumit shtrihet një komunë, ku sakaq nuk ka më tokë bujqësore.

Infrastruktura lidhëse mes këtyre dy njësive administrative, të cilat në fakt janë pjesë e një qyteti, është inekzistente. Integrimi i këtyre komunave përreth Tiranës në aglomerimin “Tiranë” mund t’i hapë rrugë fundit të kaosit urban.

E njëjta gjë mund të thuhet për Vlorën, territori i së cilës përfundon tek Uji i Ftohtë, ndërkohë që komunat më poshtë bregut të detit janë njësi më vete.

Një ndarje më e logjikshme territoriale mund të përfshijë të gjithë gjirin e Vlorës për të ofruar shërbime publike integrale.

Ndërsa aglomerimi është një koncept i ri i menaxhimit urban, hinterlandi është një koncept shumë i vjetër. i përdorur që disa shekuj më parë, nënkupton një rajon gjeografik që është i lidhur nga pikëpamja ekonomike e administrative me një qytet a një rajon tjetër gjeografik.

Zonat rurale përreth Tiranës p.sh., të cilat janë të lidhura me Tiranën si vend për të shitur produktet e veta e për të blerë mallra e shërbime urbane, sot janë njësi administrative më vete.

Për të ndërtuar një rrugë lidhëse pak kilometra të gjatë nga Tirana për në Komunën Farkë, nevojitet një sipërmarrje e qeverisë qendrore.

Fshatarët nuk kanë aksesin e duhur në tregjet e qytetit dhe shpesh kryebashkiakët kanë shprehur neveri për gjelat e detit a domatet e tyre.

Që nga kohët e lashta, një qytet nuk ka ekzistuar kurrë pa zonat rurale përqark tij, ndërkohë që gjatë njëzet viteve të fundit qytetet shqiptare kanë qenë pikërisht të tilla, zona urbane praktikisht në mes të askundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA