Rusi, komunistët kundër Putin

09/02/2012 17:50

Edhe komunistët rusë i kundërvihen kryeministrit të vendit, Vladimir Putin për dominimin e tij në ekranet televizive në prag të celjes së fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 4 mars.

Deputeti i partisë komuniste, KPRF deklaroi se Putin dhe aktivitetet e tij zënë 72 përqind të kohës televizive në vend. Kaq mjafton, tha ai, për të cilësuar zgjedhjet e 4 marsit si ilegjitime.

“Në 72 përqind të rasteve në hapësirën televizive politike, sheh vetëm kryeministrin Putin dhe aktivitetet e tij. Vetëm kaq mjafton për të cilësuar zgjedhjet presidenciale të 4 marsit si ilegjitime”, deklaroi deputeti Serghei Obukhov.

Obukhov paraqiti një kërkesë thelbi i së cilës ishte barazpesha në transmetimet televizive për secilin kandidat për president të Rusisë në zgjedhjet e ardhshme.

Vladimir Putin shihet si favoriti kryesor për t’u zgjedhur president i Rusisë. Megjithatë, grupe të të drejtave të njeriut në vend dhe vëzhgues ndërkombëtarë i druhen përsëritjes së parregullsive që shoqëruan procesin zgjedhor parlamentar të mbajtur në fund të vitit të kaluar.

Rezultatet e procesit nxorrën fituese partinë e Putin, Rusia e Bashkuar. Opozita kundërshtoi rezultatin duke e cilësuar procesin zgjedhor si të parregullit dhe të manipuluar nga Putin.

Top Channel