Kryeministri rus Vladimir Putin nuk ka ndërmend të takohet me vëzhguesit e asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ata kanë mbërritur të mërkurën në Moskë për të monitoruar zgjedhjet presidenciale të 4 marsit, në të cilat kreu i qeverisë shihet si më favoriti.
“Në programin tonë nuk ka asnjë takim të tillë”, ka sqaruar zëdhënësi i Putin, Dmitri Peskov për agjencinë e lajmeve “Interfax”.
Në fillim të muajit shkurt, delegacioni i vëzhguesve të Bashkimit Evropian kishte njoftuar takime me të gjithë kandidatët në listë.
Një sondazh i kryer së funmi në 45 rajone ruse, ku u pyetën qindra persona, sugjeronte se megjithë kundërshtimin opozitar, Putin mbetej një personazh i dashur për rusët.
Rezultati: 78 për qind e të anktuarve mendonin se Putin do të rizgjidhet president, 53 për qind e tyre se kryeministri aktual do të zgjidhet që në raundin e parë, pa qenë nevoja e mbajtjes së një turni të dytë, ndërsa 28 për qind mendonin se Putin do të fitojë në balotazh dhe vetëm 4 për qind se ai mund të humbasë më 4 mars.
Putin synon të rikthehet në krye të presidencës ruse, post të cilin e ka mbajtur për 2 mandate, para se të linte detyrën në 2008-ën, pasi Kushtetuta nuk i lejonte rikandidimin. Ndërkohë, opozita, grupe të të drejtave të njeriut dhe organizata të tjera joqeveritare vazhdojnë betejën e tyre me të.
Ditën e shtunë disa dhjetëra mijëra persona marshuan në rrugët e Moskës në një protestë ndaj rikthimit në pushtet të Putin, duke shënuar tubimin e tretë që nga zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, të cilat u shoqëruan me dyshime për manipulime të mëdha.
Në fillim të muajit, në Moskë, përballë selisë së Kremlinit u shpalos një banderolë gjigante, 145 metra dhe që mbante shkrimin “Putin ik”. Ndërsa muajin e kaluar policia ruse arrestoi në Sheshin e Kuq të Moskës një grup “punk” femëror që kishte kënduar një këngë në formë proteste kundër kryeministrit.
Top Channel