Princi Harry ka kaluar me nota maksimale kursin e stërvitjes nga grupi elitë i forcave ajrore amerikane, Top Gun, dhe do të vendoset në Afganistan vjeshtën e ardhshme.
Djali i dytë i Charles dhe Diana ka dalë i pari në klasën me 20 studentë që synonin të bëheshin pilotë të helikopterëve “Apache”, ka njoftuar Ministria britanike e Mbrojtjes.
Tani, ashtu si dhe çdo ushtar tjetër i Mbretërisë së Bashkuar, ai mund të dërgohet në vijën e parë të luftës.
Harry është 27 vjeç dhe në vitin 2008 ka kaluar 10 javë si ushtar fanterie në provincën e Helmandit, para se të zbulohej nga mediat dhe të kthehej menjëherë në atdhe.
Tani, në drejtimin e një helikopteri prestigjoz si “Apache”, princi do të caktohet në njësinë e Skuadrës së 662-të të Regjimentit të Tretë të forcave ajrore të Ushtrisë, që mban rekordin për aksione fatale ndaj rebelëve afganë.
Ndërkohë, vëllai i tij, princi William, ndodhet në ishujt Falkland me një njësi helikopterësh shpëtimi të Royal Air Force.
Është hera e parë në historinë e forcave të armatosura moderne britanike që dy anëtarë të Familjes Mbretërore të jenë në shërbim operativ.
Top Channel