Interesi i medias në jetën private të njerëzve të njohur është legjitim, sipas Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Vendimet e Strasburgut konsiderohen si historikë në jurisprudencën europiane dhe përfshijnë çështjen e ngritur nga Princesha Caroline e Hanoverit, trashëgimtare e Principatës së Monakos dhe atë të një aktori të njohur serialesh policorë në Gjermani, i cili referohet me x në shqyrtimin e Gjykatës.
Princesha Caroline ankohej se pa pëlqimin e saj ishin publikuar nga një revistë gjermane disa fotografi të saj me bashkëshortin gjatë pushimeve dimërore ndërsa bënin ski dhe i referohej nenit tetë të Konvetës për të Drejtat e Njeriut që ka të bëjë me jetën private.
Por, gjykata e Strasburgut vlerësoi se nuk kishte cënim të kësaj të drejte, e për rrjedhojë publikuesi nuk kishte asnjë detyrim financiar ndaj princeshës Caroline.
Në rastin e dytë, gazeta “Bild” kishte publikuar me foto arrestimin e aktorit gjerman për përdorim droge e shtatë vite më pas, në një shkrim të dytë tregonte se ky aktor ishte shpallur fajtor për përdorim kokaine.
Gjykatat në Hamburg kishin vendosur në favor të aktorit, duke bllokuar publikimet e mëtejshme mbi këtë çështje.
Gazeta u ankua për dëm financiar në Strasburg, duke iu referuar nenit 10 të Konventës që ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Kjo u pranua si e tillë nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila dënoi shtetin gjerman t’i paguajë botuesit më shumë se 50 000 euro për dëmet financiare dhe kompensimin, të shqiptuara në masën e qarkullimit të gazetës gjermane.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel