
Kur marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara janë në pikën më të ulët të viteve të fundit, Pakistani po përpiqet të marrë rolin e udhëheqësit në luftën kundër terrorizmit, të paktën në rajon.
Islamabadi zyrtar njoftoi mbajtjen e një samiti anti-terrorizëm trepalësh, ku të ftuar janë Irani dhe Afganistani. Këtyre dy të fundit u kanë shkuar ftesat zyrtare, ftesa të cilat kanë marrë përgjigje pozitive nga të dyja këto vende.
“Ftuam presidentin afgan Hamid Karzai dhe atë iranian Mahmoud Ahmadinejad në një takim që do të mbahet në datat 16-17 shkurt ku do të diskutohen strategjitë dhe metodat për të luftuar terrorizmin rajonal”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme pakistaneze, Abdul Basit.
Irani dhe segmente të caktuara nga brenda institucioneve pakistaneze akuzohen nga Shtetet e Bashkuara si mbështetës dhe nxitës të terrorizmit, vecanërisht në Afganistan. Akuzat e Uashingtonit janë kundërshtuar nga Islamabadi dhe Teherani.
Top Channel