Maldive, fletë-arrest për ish-presidentin

09/02/2012 11:05

Një gjykatë në Male, në ishujt Maldive, ka lëshuar të enjten një urdhër-arrest ndaj ish-presidentit Mohamed Nasheed dhe ish-ministrit të Mbrojtjes së vendit.

Lajmin e kanë bërë të ditur disa televizione indiane të cilat citojnë burime pranë Partisë Demokratike të Maldiveve, ku bën pjesë ish-kreu i shtetit.

Burimet shtojnë se pas trazirave të ditës së mërkurë, askush nuk di me saktësi se ku ndodhet Nasheed, të cilin policia po përpiqet të arrestojë.

Ditën e djeshme të njëjtat burime njoftuan se presidenti i dorëhequr ishte rrahur nga policia gjatë përleshjeve në kryeqytetin Male dhe se ishte shtruar në spital.

Nasheed pretendon se është detyruar të tërhiqet si pasojë e një grushti shteti dhe ka kërkuar dorëheqjen e pasardhësit Mohamed Waheed, që u emërua të martën.


Ai dha dorëheqjen ditën e martë
, pas javësh të tëra protestash dhe kryengritjesh nga disa oficerë të policisë. Në një fjalim televiziv, ai tha se do të ishte më mirë për vendin që në një situatë të tillë të tërhiqej nga detyra.

“Do të ishte më mirë për vendin që në situatën aktuale unë të jepja dorëheqjen. Nuk dua të qeveris një vend me grusht të hekurt, prandaj po tërhiqem”, deklaroi Nasheed.

Tensionet në Maldive u përshkallëzuan pasi ushtria arrestoi një gjyqtar të vjetër muajin e kaluar, duke shkaktuar nisjen e protestave në rrugë në mbarë ishujt që ndodhen në oqeanin Indian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA