Brazil, merr fund greva e policëve

09/02/2012 13:50

Ka përfunduar me arrestimin e liderëve greva e policëve në shtetin e Bahias, në Brazil, ku për shkak të bojkotit të punës nga forcat e rendit u regjistrua një valë kriminaliteti.

Në mëngjes selia e parlamentit lokal, e zaptuar nga manifestuesit për 10 ditë rresht, është boshatisur nga ndërhyrja e forcave speciale të ushtrisë.

Të gjithë 240 agjentët që ndodheshin brenda kanë dalë pa bërë rezistencë, ndërsa dy drejtuesit e protestuesve, oficerët Marco Prisco dhe Antonio Paulo Angeline, kanë përfunduar në pranga.

Një tentativë e mëparshme e ushtrisë për të larguar grevistët nga një ndërtesë ku ishin mbledhur përfundoi me përleshje dhe me forcat speciale që qëlluan plumba gome.

Ngjarja ndodhi në kryeqytetin e Bahias, Salvador, ku numri i vrasjeve u dyfishua që kur forcat e rendit ndaluan punën pak më shumë se një javë më parë.

Salvadori, qyteti i tretë më i madh i Brazilit, është edhe një nga pritësit e Kampionatit Botëror të futbollit 2014. Oficerët kërkonin një rritje rroge me të paktën 30 për qind dhe kushte më të mira pune.

Mbi 3 mijë ushtarë brazilianë dhe anëtarë të policisë federale ushtarake u dërguan për të patrulluar rrugët dhe për të ruajtur rendin në Bahia.

Që nga nisja e grevës më 31 janar, në këtë shtet janë regjistruar një seri krimesh që kanë lënë të paktën 93 persona të vdekur, më shumë se gjysma e kuotës normale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA