Ndërsa masakrës së Homsit i shtohen edhe 95 viktimat e së hënës, gjatë qëndrimit në Damask, ministri i Jashtëm rus, Sergei Llavrov mori një premtim nga presidenti Bashar Al Asad për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Siri.
“Presidenti i Sirisë na garantoi se ai është plotësisht i angazhuar për të ndaluar dhunën, pavarësisht se prej nga vjen, në përputhje me atë që është përdorur në inisiativën”, tha Llavrov.
Në një udhetim të beftë në Siri, që pasoi veton e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit, Llavrov tha se zgjidhja duhet të mbështetet në inisiativën e Ligës Arabe, atë të 2 Nëntorit 2011, pa dhënë asnjë shenjë se përkrah thirrjen e saj të fundit për dorëheqjen e Asad. Sa i takon etiketimeve mbi veton, Lavrov tha se janë në kufirin e histerisë.
Shefi i diplomacisë ruse tha se Damasku është i gatshëm për të pritur një mision më të gjërë të Ligës Arabe për të miratuar përpjekjet e paqes dhe të vendosë një datë për referendumin mbi kushtetutën.
Liga Arabe dërgoi misionin në Siri në dhjetor të vitit të kaluar, por e pezulloi një muaj më vonë, pas shtimit të dhunës.
Agjensia siriane e lajmeve SANA tha më vonë se Asad gjatë takimit nënvizoi vullnetin e vendit të tij për të bashkëpunuar drejt stabilitetit të Sirisë.
Pol Uood, korrespondenti i BBC-së që ndodhet në Homs tha se ushtria rimorri sulmet me mortaja dhe përdori artilerinë e rëndë. Sipas tij, tanket e prodhimit rus janë parë pranë qëndrës së Homsit, por deri tani nuk ka një sulm tokësor, të cilit i frikësohen banorët.
Mediat ndërkombëtare njoftojnë se vendet e gjirit kanë vendosur të dëbojnë ambasadorët sirianë dhe të tërheqin përfaqësuesit e tyre diplomatik në Damask.
Top Channel