SHBA, rihapet gara presidenciale

08/02/2012 15:40

Një sukses i trefishtë i Rick Santorum, në zgjedhjet e mbajtura në Minesota, Misuri dhe Kolorado, ka rihapur përsëri garën për përzgjedhjen e kandidatit republikan për president në SHBA.

Santorum kryesoi me diferencë të madhe përpara favoritit Mitt Romney, i cili e ka patur të vështirë të fitojë pikë midis linjës konservatore të partisë.

Fituesi i zgjedhjeve republikane do të sfidojë Barack Obamën në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Ish-folësi i Kongresit Amerikan, Newt Gingrich, pati një rezultat tepër të dobët në të tre shtetet, aq sa nuk u paraqit fare pas mbylljes së zgjedhjeve në Misuri.

Përsa i përket Romney, edhe për të rezultati ishte zhgënjyes, pasi ndonëse mbështetja e ulët në Minesota ishte parashikuar, pritej që ai të fitonte lehtësisht në Kolorado, shtet ku katër vjet më parë, kur ai mori pjesë përsëri në garën presidenciale, fitoi 60% të votave.

Sipas mediave amerikane, dështimi i Romney i atribuhet punës së dobët të fushatës së tij zgjedhore, që u përqëndrua në shtete të tjera, duke i konsideruar të tre ku u votua të mërkurën si “në xhep”.

Një rezultat i tillë rihap edhe një herë garën presidenciale në SHBA, që tashmë nuk është më një garë dyshe, pasi Santorum duket se ka mundësi të sfidojë realisht Romney dhe Gingrich, nëpërmjet linjës së tij konservatore.

Kandidati i katërt i mbetur në garë, Ron Paul, përsëri regjistroi një rezultat të dobët dhe në media ka nisur të përflitet mundësia e tërheqjes së tij së afërt nga gara presidenciale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA