Maldive, ish-presidenti rrihet nga policia

08/02/2012 17:40

Presidenti i dorëhequr i ishujve Maldive, Mohamed Nasheed është rrahur nga policia gjatë përleshjeve në kryeqytetin Male dhe është shtruar në spital.

Lajmin e bëjnë të ditur anëtarë të partisë së ish-presidentit, ndërkohë që një zëdhënës ushtarak ka deklaruar se Nasheed vetëm sa është plagosur lehtë.

Nasheed pretendon se është detyruar të japë dorëheqjen si pasojë e një grushti shteti dhe ka kërkuar dorëheqjen e pasardhësit Mohamed Waheed, që u emërua të martën.

“Kam bërë një apel që ai të japë dorëheqjen”, ka deklaruar Nasheed gjatë një fjalimi me anëtarët e partisë së tij, duke kërkuar edhe një hetim për grushtin e shtetit, “në mënyrë që të ndëshkohen përgjegjësit”.

Ndërsa në një intervistë për agjencinë e lajmeve “AFP”, ish-presidenti ka deklaruar se në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë kishte gjetur 18 policë dhe oficerë që e kishin paralajmëruar të dorëhiqej, në të kundërt do të kishin përdorur armët.

Mësohet se tensionet në kryeqytetin Male nuk i kanë prekur turistët e shumtë të shpërndarë në 1200 ishujt koralorë të arqipelagut, në një periudhë të konsideruar si tepër të rëndësishme për turizmin.

Të martën, kur njoftoi dorëheqjen në një fjalim televiziv, Nasheed tha se do të ishte më mirë për vendin që në një situatë të tillë të tërhiqej nga detyra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA