Kupa e Italisë, supersfida Milan-Juventus

08/02/2012 00:00

Të mërkurën në mbrëmje (ora 20.45) Milan dhe Juventus, kryesuesit e Serisë A, do të përballen në San Siro në ndeshjen e parë gjysmëfinale të vlefshme për Kupën e Italisë.

Në prag të kësaj ndeshjeje, Massimiliano Allegri ka folur mbi përjashtimin me karton të kuq të Zlatan Ibrahimovic ndaj Napolit: “Episode të tilla nuk ndëshkohen gjithmonë. Ibra pagoi për të gjithë ne dhe tashmë presim vendimin e apelit. Bëri një gjest jo të bukur dhe me këtë stop do të bëjë pak pushim, por do ishte më mirë të mos bënte.”

Në lidhje me ndeshjen, tekniku i Milanit theksoi: “Duhet të luajmë mirë dhe të mos kompromentojmë kualifikimin. Kjo ndeshje mund të jetë shumë e rëndësishme edhe për titullin kampion. Nuk jemi në krizë. Nuk kemi marrë rezultatet që prisnim në dy ndeshjet e fundit, por edhe Juventus barazoi me Sienën.”

“Duam të arrijmë finalen e Kupës së Italisë”, përfundoi Allegri.

Juventus, Conte: Jemi të barabartë me Milanin

“Juventus ka të njëjtat shanse me Milanin për të kaluar në finalen e Kupës, nërsa në kampionat Milani është favoriti kryesor.”

Kështu është shprehur trajneri i bardhezinjve, Antonio Conte, i cili në këtë ndeshje do i besojë blerjeve të reja.

“Është momenti që lojtarët që kanë ardhur në merkaton e janarit të flasin në fushë. Borriello, Caceres dhe Padoin do të luajnë, ndërsa në portë do të jetë Storari”, deklaroi Conte.

Trejneri i kryesuesve të Serisë A shtoi gjithashtu se kapiteni Del Piero do të nisë ndeshjen si titullar.

Në lidhje me pezullimin e Zlatan Ibrahimovic, Conte nënvizoi: “Kam vetëm fjalë të mira për të. Kudo që ka shkuar ka arritur të fitojë trofe. Nuk e di sa do ndikojë mungesa e tij tek Milan, por do e marrim vesh pas këtyre tre ndeshjeve.”

Top Channel