Dita e premte, kur do të zhvillohet edhe mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Kreshnik Spahiut, është afati i fundit për kthimin e përgjigjes nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për informacionet e kërkuara nga Komisioni.

Në mungesë të përgjigjes, që sipas kryetarit të Komisionit Hetimor Alibeaj, duhej të kishte mbërritur, Komisioni vendosi t’i shtyjë afatin KLD-së për të përgatitur materialin e kërkuar.

Sipas Alibeajt, Kreshnik Spahiu, me mosdhënien e informacionit të kërkuar është në limitet e kryerjes së veprës penale.

“Unë jam dakort që ne t’i cojmë një tjetër shkresë dhe përgjigja e saj të na vijë ditën kur ne do të mbledhjen tjetër, dhe vec kësaj, qoftë neglichenca, qoftë qëllimi për t’u bërë pengesë për ushtrimin e veprimtarisë së hetimit të këtij komisioni duke mos kthyer përgjigje ndaj Kuvendit të Republikës, besoj se jemi në limitet e konsumimit të veprës penale nga ana e Spahiut”, deklaroi kryetari i Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeaj.

Komisioni Hetimor vendosi gjithashtu që në ditën e premte, datë 10 shkurt do të thërritet në seancë dëgjimore nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu. Sipas kryetarit Alibeaj, Komisioni ka detyrimin kushtetues për t’i krijuar kushtet e duhura Spahiut për t’u dëgjuar.

“I kemi dërguar shkresë zotit Spahiu për të caktuar ai kohën, ditën se kur do të ishte ai i mundshëm për të ardhur në këtë Komision. Nuk kemi asnjë lloj përgjigje, të themi për mundësinë ligjore të zotit Spahiu. Nuk di të them nëse ka apo jo dëshirë, gjithsesi di të them se kemi detyrim kushtetues, detyrim ligjor për t’i krijuar mundësinë zotit Spahiu, funksionarit kushtetues për ta dëgjuar për atë cka për thënë në lidhje me veprimtarinë e Komisionit Hetimor dhe objektin e tij”, tha Alibeaj.

Kryetari i Komisionit Hetimor Enkelejd Alibeaj tha gjithashtu se komisioni ka mbledhur nga institucionet shtetërore dhe televizionet materiale të cilat janë pjesë e planit të hetimit.

Spahiu: Komisioni nuk ka tagër për të kërkuar dokumentacionin

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu ka thënë se kërkesa e Komisionit Parlamentar, i cili po heton veprimtarinë e tij, nuk është e bazuar në ligj dhe si pasojë nuk ka tagrin e duhur të kërkojë dokumentacionin që lidhet me financat e KLD-se.

“Nga data 1 shkurt në Këshillin e Lartë të Drejtësisë me shkresë zyrtare është kërkuar auditimi i plotë 3-vjecar i veprimtarisë ekonomike, financiare, ligjore e Këshillit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, autoriteti i vetëm kushtetues për të audituar dhe kontrolluar institucionet e pavarura. Eshtë KLSH, i cili informon dhe raporton në Kuvendin e Shqipërisë për situatën apo kontrollet financiare, ekonomike apo problemet ligjore që kanë konstatuar në cdo institucion shtetëror”, tha Spahiu.

Mbetet ende e paqarte nese Spahiu do paraqitet te premten ne komisionin parlamentar hetimor apo jo.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta