Ushtarakët do të jenë të gjithëpushtetshëm në Egjipt deri në fund të qershorit, ashtu sic është parashikuar edhe më herët.
Kështu deklaroi kryeministri në fuqi, Kamal el Ganzouri i cili hodhi poshtë të gjithë zërat dhe kërkesat e shtuara së fundmi nga disa parti politike të dala nga zgjedhjet që përfunduan në janar në vend.
“Kush apelon për largimin e ushtarakëve nga udhëheqja e vendit duhet të sjellë në kujtesë atë që ndodhi në Irak. Egjipti është shtylla kurrizore e të gjithë rajonit dhe duhet t’u sqarohet të gjithëve se rrëzimi i kombit tonë, rrëzon të gjithë rajonin, trazirat në kombin tonë, trazojnë të gjithë rajonin”, tha kryeministri el-Ganzouri.
Deklarata ishte kundërpërgjigje e kërkesave të disa partive politike në vend, përfshi këtu edhe salafitët, radikalët islamikë që në zgjedhjet e përfunduara muajin e kaluar u konfirmuan si partia e dytë më e madhe në vend, pikërisht pas liberalëve të “Vëllazërisë muslimane”.
Kërkesat kanë nxitur edhe dhunë në vend. Në disa rajone, përfshirë këtu edhe periferi të Kajros, ka patur përleshje mes protestuesve që kërkojnë largimin e ushtarakëve nga qeverisja e vendit, dhe forcave të sigurisë.
Top Channel