Asgjë e re nga kreditimi i ekonomisë

08/02/2012 08:10

Bankat kanë vijuar të shtrëngojnë standardet e kredisë për biznese, ndërsa kërkesa e këtyre të fundit, ndonëse me përmirësim të lehtë, vijon të jetë shumë e dobët, njoftoi Banka e Shqipërisë në raportin e saj periodik mbi vrojtimin e aktivitetit kreditues.

Gazeta ‘Shqip’ bën të ditur se për tremujorin e katërt të vitit 2011, bankierët e intervistuar për këtë vrojtim raportuan se kriteret e dhënies së kredive janë shtrënguar veçanërisht për ndërmarrjet e vogla e të mesme, ndërkohë që për bankat është parapëlqyer financimi i bizneseve të mëdha për investime dhe më pak për kapital qarkullues.

“Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për biznese, janë situata e kredive me probleme, problemet specifike të sektorit ku operon biznesi dhe situata e përgjithshme makroekonomike”, nënvijëzoi BSH në raport.

Kushtet e kreditimit janë shtrënguar edhe për individët, ku ecuria e tregut të pronave të patundshme është bërë pengesë e madhe. Në një pjesë të madhe të pallateve që nisën të ndërtohen para krizës, punimet janë pezulluar ose ndërprerë, ndërkohë që vlera e pronave të patundshme të dhëna për kolateral në banka po rezulton shumë e dyshimtë.

Për sa i përket tremujorit të parë të vitit 2012, bankat presin vijim të shtrëngimit të standardeve, pa bërë dallime për llojin e kredisë dhënë për kapital qarkullues apo për investime. Shtrëngimi pritet të ndikojë më shumë kredinë e dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, se sa atë për ndërmarrjet e mëdha.

Pritjet për kërkesën e bizneseve vijojnë të jenë pozitive. Bankat në përgjithësi nuk presin ndryshime të standardeve për kredinë dhënë individëve, në tremujorin e parë të vitit 2012, krahasuar dhe me nivelin e tremujorit të fundit të vitit 2011 dhe me pritjet e tyre të shprehura në tremujorin e kaluar. Pritjet për kërkesën e individëve për kredi, në tremujorin e parë të vitit 2011, janë optimiste.

Politika shtrënguese e bankave në tremujorin e katërt të vitit 2011 është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së kërkesës për kolateral në raport me madhësinë e huasë dhe nëpërmjet rritjes së marzhit për kreditë me rrezik.

Kërkesa e individëve për kredi, bazuar në gjykimin e bankave për të, ka vijuar prirjen rënëse në tremujorin e katërt të vitit 2011. Rënia e kërkesës është regjistruar vetëm për kredinë për blerje banese, pasi kërkesa për kredinë konsumatore ka regjistruar rritje. Bankat në përgjithësi nuk presin ndryshime të ndjeshme të standardeve për kredinë dhënë individëve, në tremujorin e parë të vitit 2012.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA