DASH shpalli organizatë terroriste dhe sanksionoi vëllezërit Hysa, Berisha: Transferuan miliona euro në Shqipëri Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kreu i opozitës
Edi Rama ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se është duke gënjyer
shqiptarët me shifrat që jep për punësimin.
Rama ka përdorur shifrat e Bankës së Shqipërisë për të ilustruar papunënisë një shqetësim i kahershmëm, ngritur shpeshherë nga opozita.
“Të dhënat e bankës përfshijnë 10 vjet, nga viti 2000 në vitin 2010. Është e datës 3 shkurt, pra e vetëm pak ditëve më parë. Rritja e forcave të punës dhe rënia e numrit të të punësuarve në 10 vjet është dramatike. Kryeministri nuk rresht së akuzuari opozitën si gënjeshtare, sepse prej vitit të shkuar ne themi se në Shqipëri ka 1 milionë të papunë. Le ta shohin të gjithë shqiptarët tabelën e të dhënave nga Banka e Shqipërisë ku del qartë si drita e diellit se kush gënjen. Gënjen opozita që thotë se të papunët në Shqipëri kanë arritur në 1 milionë, apo gënjen kryeministri që flet për rritje të punësimit dhe për opozitën, që sipas tij gënjyeka 1 milionë herë”, tha Rama.
Duke e cilësuar qeverinë të paaftë dhe korruptuar deri në thonj dhe si pasojë të paaftë për të ndryshuar situatën e papunësisë në Shqipëri, zoti Rama është ndalur edhe në situatën kriminale në vend pas disa vrasjeve dhe grabitje të njëpasnjëshme në disa qytete të vendit.
“Sot jetojmë në një vend që tronditet përditë nga vrasjet, eksplozivët dhe nga grabitjet me armë në dorë. Vrasin bandat kriminale, por vrasin edhe të rinjtë e dëshpëruar në rrugën e grabitjeve për t’i mbijetuar varfërisë dhe papunësisë. Vret vet shteti me armë zjarri dhe kryeministri i quan vrasësit heronj, duke goditur haptas ata që e luftojnë krimin me në krye Prokuroren e Përgjithshme të Republikës.Në krye të policisë qëndrojnë xhagajdurë me imunitet kryeministror që shpërdorojnë detyrën për përfitime krejt personale. Jeta është e pambrojtur, prona është e pambrojtur, biznesi është i pambrojtur. Më keq akoma, e ardhmja është e pambrojtur”, tha Rama.
Sipas Ramës, Partia Socialiste ka një platformë të detajuar që me ardhjen në pushtet do t`i shpallë luftë krimit ndërsa ka shtuar se ditën e premte PS në tryezën për rendin do të paraqesë shifra alarmante të papublikuara më parë për krimin në Shqipëri.
Popullsia në moshë pune Të punësuar Diferenca
2000 1,939,000 1,068,000 871,000
2001 1,773,000 919,810 853,190
2002 1,767,000 920,140 846,860
2003 1,826,000 926,000 900,000
2004 1,850,000 931,200 918,800
2005 2,003,000 932,100 1,070,900
2006 1,917,000 935,000 982,000
2007 2,101,000 939,000 1,162,000
2008 2,126,000 974,000 1,152,000
2009 2,146,000 899,000 1,247,000
2010 2,166,000 917,000 1,249,000
Tabela qe Rama i referohet, eshte e BSH-se me date 3 shkurt
Top Channel