Ngrica, gjendje emergjence në Itali e Ballkan

07/02/2012 15:25

Italia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për kursimin e gazit, ndërsa acari siberian vazhdon të mbërthejë Europën për të tretën javë radhazi.

Një gjendje emergjence është shpallur edhe në Serbi, ku 70 mijë fshatarë janë të bllokuar nga dëbora në zona rurale. Në Greqi, disa fshatra pranë kufirit bullgar janë shpërngulur, pasi lumi Evros është në prag të daljes nga shtrati i tij pas rreshjeve të dëndura që e kanë ushqyer së fundmi.

Në Bullgari, dita e martë ishte një ditë zie kombëtare, pasi si rrjedhojë e çarjes së një dige, nëntë persona gjetën vdekjen nga përmbytja e menjëhershme e zonës në të cilën jetonin nga dallgë deri tetë metra të larta.

Dy diga të tjera janë në prag të shpërthimit dhe zyrtarët kanë shpallur një kod portokalli në shumë zona të vendit, një paralajmërim serioz për mundësinë e një katastrofe humanitare.

Si rrjedhojë e ngrirjes që ka ngushtuar shtratin e Danubit dhe Ibrit, edhe Beogradi është në rrezik përmbytje, ndërsa ushtria planifikon të përdorë eksplozivë për të shpërndarë akullin.

Numri total i viktimave si rrjedhojë e ngricave ka kaluar 300 persona në të gjithë Europën. Rritja e menjëhershme e kërkesës ka krijuar probleme në furnizimin me gaz, me Rusinë që nuk është në gjendje të përballojë të gjithë nevojën.

Si rrjedhojë, jo të gjithë vendet po marrin gazin për të cilin kanë nevojë, duke detyruar autoritetet të përfshijnë masa kursimi që kanë goditur kryesisht bizneset.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA