Të ekzistosh nëpërmjet artit, ndonëse i ndarë fizikisht nga jeta, është rasti për tu thënë për regjisorin Hysen Hakani, të cilit iu dedikua një përkujtimore mes familjarësh, miqsh e kolegësh në përvjetorin e parë të vdekjes.
Në AQSH u shfaq një kolazh me punët dhe copëza nga jeta e regjisorit të parë vendas që ka realizuar një prodhim kinematografik me metrazh të gjatë, filmin “Fëmijët e tij”.
Duke konsideruar sensin e humorit që karakterizonte aktorin, edhe përkujtimorja ishte konceptuar si e tillë. Mjafton të lexosh me vëmendje këtë fjali hapëse të kolazhit, një miks titujsh të filmave te tij.
Regjisori Saimir Kumbaro e kujton kështu: “Hysenit i pëlqente shumë të xhironte natën, zgjidhte skenat e natës. Më ka aktivizuar në një rol tek Njësiti guerril dhe që atëherë u bëmë miq të mirë.
Hyseni ishte një njeri me zemër shumë të madhe dhe nuk është shpërblyer kurrë për atë që ka bërë.”
Hysen Hakani konsiderohet si një ndër regjisorët më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare. Pjesë e filmave të tij janë prodhime kult si Debatik, Toka jonë dhe Njësiti guerril.
Nga regjisori Piro Milkani, gjatë përkujtimores, u hodh ideja për t’i kërkuar Cekisë, vendit ku ai ka studiuar, filmin me metrazh të shkurtër të realizuar nga Hakani student: “Hotel Përparimi”.
Top Channel