
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ndodhet në Siri për bisedime me
presidentin Bashar al Assad, pas sulmit të radhës të trupave qeveritare
ndaj rebelëve.
Zoti Lavrov është përshëndetur nga mbështetësit e Assad kur ka mbërritur në Damask, një vizitë kjo që ndodh pasi Rusia dhe Kina i vendosën veton rezolutës perëndimore të propozuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Mijëra mbështetës të regjimit mbushën rrugët e Damaskut dhe valëvitën flamuj teksa autokolona e Lavrov kalonte nëpër qytet.
Ditën e hënë, zoti Lavrov deklaroi se reagimi perëndimor që dënonte veton ruse në Këshillin e Sigurimit ishte vetëm një “histeri”.
Moska ka deklaruar se rezoluta, që mbështet planin e paqes të Ligës Arabe, që parashikon largimin e presidentit Assad, do të sillte një ndyrshim të detyruar të regjimit në Siri.
Zyra e zotit Lavrov ka deklaruar se ai ishte drejtuar në Damask pasi Moska kishte shqyrtuar mënyrën më të shpejtë të kthimit të stabilitetit në Siri.
Ndërsa, Turqia ka deklaruar se do të nisë një iniciativë të re ndërkombëtare për Sirinë. Ushtria siriane ka sulmuar ditët e fundit, me artiljeri të rëndë bastionet e rebelëve në qytetin e Homsit.
Korrespondenti i BBC, Paul Wood, reporteri i vetëm i huaj në këtë qytet, thotë se ushtria siriane filloi të qëllonte rreth orës 4 të mëngjesit të së martës. Sipas tij, banorët kanë frikë se trupat po planifikojnë të ndërmarrin një sulm tokësor.
Qindra prej tyre kanë vdekur që nga nisja e operacioneve ajrore të premten e kaluar. Të paktën 95 persona mbetën të vrarë vetëm të hënën, deklarojnë aktivistët e të drejtave të njeriut.
Vendet arabe tërheqin ambasadorët nga Siria
Gjashtë vendet e Këshillit për Bashkëpunim në Gjirin Persik njoftuan tërheqjen e ambasadorëve përkatës nga Siria si dhe dëbimin e përfaqësuesve diplomatikë të Damaskut në vendet e tyre.
Lajmi u njoftua nga Arabia Saudite, që mban edhe kryesimin e radhës së Këshillit që përbëhet nga gjashtë anëtarë.
“Vendet e Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit, vendosën të tërheqin ambasadorët nga Siria në shenjë kundërshtimi ndaj dhunës së përshkallëzuar të autoriteteve ndaj civilëve, si dhe të dëbojnë ambasadorët e Sirisë”, thuhet në një deklaratë të Këshillit.
Këshilli, (GCC) përbëhet nga gjashtë vende arabe, Bahreini, Kuvajti, Omani, Katari, Mbretëria e Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Top Channel