Greqia, në euro apo jashtë?

07/02/2012 00:00

Presidenti i Komisionit Europian, Zhose Manuel Barroso këmbëngul se Greqia duhet të qendrojë në eurozonë. Ai i përgjigjet komisioneres holandeze, Nili Kroes e cila tha se asgjë s’do të ndodhë nëse Athina vendosi t’i thotë lamtumirë euros.

“Kostoja e daljes së Greqise mund të jetë më e lartë se ajo e mbështetjes së këtij vendi. Kjo është shumë e rëndësishme. Natyrisht që Greqia duhet të angazhohet dukshëm, pa asnjë mëdyshje, për të kryer përpjekjet e nevojshme, përpjekje për të cilat kemi shumë kërkesa e pranoj. Por pikerisht këto mund të sjellin frute në një periudhë afat-mesme”, deklaroi presidenti Barroso.

Zhak Delor ish-presidenti i Komisionit Europian, duke folur në 20-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Mastrihtit të 7 shkurtit 1992, kritikoi BE-në se po vepron në mënyrë jo të balancuar.“Pushtetet nuk janë më në Bruksel, janë shpërndarë. Cfarë nevojitet është shpirti i bashkëpunimit. Ky shpirt bashkëpunimi mungon brenda unionit ekonomik dhe vecanërisht në Këshillin e Ministrave të Finances”.

Një mesazh të ngjashëm si ai i komisioneres Nili Kroes është dëgjuar edhe nga kryetari i eurogrupit, Zhan Klod Junker i cili tha ditë më parë se euro do të jetojë më gjatë se të gjithë anëtarët e eurozonës. Presioni po shtohet ndaj qeverisë  greke për të pranuar reformat e huadhënësve. Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane kanë vendosur disa kushte për paketën tjetër të ndihmës, ku përfshihen reduktime të mëtejshme të shpenzimeve, reforma të tregut të punës dhe shpëtimin e bankave.

Kushtet duhet të marrin miratimin e partive greke, e pas kësaj të dorëzohet paketa e dytë e ndihmës prej 130 miliardë eurosh. Sakrificat e para në vend do t’u takojnë pensionistëve dhe nëpunësve.

Greqia është paralizuar nga një grevë e përgjithshme e transportit publik dhe porteve, e cila do të zgjasë 24 orë.

Top Channel