Filipine, operacione shpëtimi pas tërmetit

07/02/2012 08:45

Në Filipine po vazhdojnë operacionet e shpëtimit pas tërmetit të fuqishëm të së hënës që la disa dhjetëra persona të vdekur e shumë të tjerë të humbur.

Njësitë ushtarake janë duke drejtuar operacionet e kërkimit, deklaroi një burim pranë Zyrës së Mbrojtjes Civile, ndërkohë që policia është vendosur në rrugë për të shmangur grabitjet.

“Nevojat më urgjente për momentin janë uji i pijshëm, ushqimi dhe tendat”, ka deklaruar burimi, i cituar nga rrjeti informativ britanik BBC.


Tërmeti u regjistrua
70 kilometra në veri të qytetit Dumaguete, në ishullin e Negros. Fuqia prej 6.7 ballë u regjistrua në një thellësi prej 20 kilometrash, bën të ditur Instituti Amerikan Gjeologjik.

Një zyrtar lokal deklaroi se bilanci i viktimave ishte 15 të vdekur të konfirmuar, 44 të raportuar të humbur dhe 52 të plagosur. Mes viktimave janë edhe dy fëmijë.

Ndërsa mediat lokale flisnin për të paktën 43 të vdekur, përfshirë shumë persona të vrarë në një rrëshqitje toke në një zonë bregdetare në Guihulngan.

Megjithatë, kjo nuk është konfirmuar ende nga autoritetet qendrore. Telekomunikacionet janë ndërprerë në shumë zona dhe një seri lëkundjesh të tjera u regjistruan pas tërmetit.

Drejtuesit e Institutit filipinas për Vullkanologjinë dhe Sizmologjinë lëshuan një alarm për tsunami për zonën, por e hoqën atë pak orë më vonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA