Një prej bosëve të drogës më të kërkuar në Amerikën Latine u arrestua të martën në lindje të Venezuelës.
Lajmin e bëri të ditur vetë Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, që falenderoi autoritetet e shtetit fqinj për prangosjen e Hector German Buitrago, i njohur ndryshe edhe si Martin Llanos.
44-vjeçar, ai besohet të jetë krahu i djathtë i një grupi paraushtarak, që ka refuzuar të çarmatoset, pas një marrëveshje të arritur më parë midis autoriteteve kolumbiane dhe klaneve të drogës në vend.
Midis akuzave që rëndojnë mbi bosin e mafias përfshihet vrasja, pengmarrja dhe trafiku ndërkombëtar i drogës.
Së bashku me të është arrestuar edhe figura tjetër kryesore e klanit, Nelson Buitraga Parada, i njohur ndryshe si “Kali”, vëllai i të shumëkërkuarit.
Babai i tyre, themelues i familjes mafioze, u arrestua nga policia kolumbiane në vitin 2010, pasi mbi të rëndonin më shumë se 20 akuza vrasjesh.
”Martin Llanos ka luajtur një rol udhëheqës në një prej luftrave më të përgjakshme të ndodhur në lindje të vendit tonë, konflikt në të cilin qindra, mijëra shtetas kanë humbur jetën”, u shpreh presidenti Santos përpara reporterëve.
Autoritetet venezueliane konfirmuan vetëm se arrestimi i të shumëkërkuarit u bë i munduar si rrjedhojë e bashkëpunimit të ngushtë midis forcave të policisë dhe shërbimeve të fshehta.
Top Channel