“Pango” në Gjykatën e Lartë

07/02/2012 19:45

Të enjten, Gjykata e Lartë do të merret me çështjen Pango kundër “Top-Channel”.

Gjykata ka marrë një apel nga paditësi Ylli Pango pas vendimit te Gjykates se Apelit. “Top Channel” bëri publike në 4 mars 2009 një video, ku Ylli Pango, Ministër në kohën e transmetimit, i kërkon një vajze favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

Zoti Pango i vlerëson faktet si të pavërteta, të manipuluara dhe në shkelje të hapur të privacisë së tij. Gjykata e Apelit refuzoi të shprehet për këtë çështje në themel dhe më 21 shtator të vitit të shkuar e ktheu çështjen në shkallën e parë, për t’u rishqyrtuar nga një tjetër trupë gjyqësore.

Sipas Apelit, në shqyrtimin në shkallë të parë kishte pasur shkelje proceduriale sa i takon marrjes dhe administrimit të provave si edhe kontradikta në arsyetimin e vendimit.

Trupa gjyqësore e Shkallës së Parë, e kryesuar nga gjyqtari Agim Bendo, i dha të drejtë Ylli Pangos dhe fajësoi “Top-Channel” për publikimi të materialeve të pavërteta dhe të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Si dëmshpërblim, gjykatësi Agim Bendo vendosi një gjobë prej 400 mijë eurosh. Por, Gjykata e Apelit, në vendimin e saj për ta kthyer çështjen për rishqyrtim vuri re se Gjykata e Shkallës së Parë nuk arsyetoi se përse i dha përparësi respektimit të jetës private në raport me lirinë e shprehjes.

Në fakt, është Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut që me jurisprudencën e saj ka përcaktuar ne menyre te qarte dhe te pakundershtueshme kufijtë mes lirisë së shprehjes dhe respektimit të jetës private.

Gjykata e Strasburgut, në rastin e një funksionari publik, siç është një Ministër, është shprehur se interesi publik ka përparësi.

Mirëpo Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë duket se në vendimin e saj nuk e mori parasysh këtë arsyetim, edhe pse në kohën e fakteve Zoti Pango ishte Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Pas publikimit të fakteve, Ylli Pango u shkarkua menjëherë nga Kryeministri dhe akti i tij u dënua nga tërë klasa politike.

Rasti dhe gjoba prej 400 mijë eurosh janë përmendur në raportin e Departamentit Amerikan të shtetit për lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut dhe në raport-progresin e Komisionit Europian si raste të gazetarisë investigative që lufton kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA