Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbyllën ambasadën e tyre në Damask dhe tërhoqën prej Sirisë personelin e mbetur diplomatik pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në vend.
17 anëtarët e trupës diplomatike amerikane, përfshirë këtu edhe ambasadorin Robert Ford lanë Sirinë, një pjesë nëpërmjet fluturimeve të rastit për në vende të tjera dhe pjesa tjetër, bashkë me ambasadorin Ford duke udhëtuar me makinë drejt Jordanisë.
Përvec mbylljes së ambasadës, Departamenti i Shtetit njoftoi të gjithë shtetasit amerikanë të shmangin udhëtimin drejt Sirisë si dhe u bëri thirrje atyre që ndodhen aktualisht atje, të braktisin vendin “menjëherë”.
Shkak, sipas DASH, është situata e rënduar e sigurisë, kryesisht në qytetin e Homsit dhe në zona të tjera të vendit ku raportohen luftime të ashpra mes rebelëve dhe forcave qeveritare. Në Homs, organizatat siriane të të drejtave të njeriut raportojnë për të paktën 46 persona të vrarë vetëm ditën e hënë si pasojë e ofensivës së ushtrisë e cila ka nisur që nga dita e premte.
Ndërkohë, Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, duke iu rikthyer votimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara tha se vota kundër sanksioneve të reja për regjimin e Assad ishte një tradhëti që komuniteti ndërkombëtar i bëri popullit sirian. Hague kritikoi veton ruso-kineze në KS, por Pekini dhe Moska mbrojtën qendrimin e tyre duke u shprehur se dëshirojnë fundin e dhunës në Siri dhe që të gjitha palët të ulen në tryezën e bisedimeve për të nxjerrë vendin nga situata e vështirë që ndodhet prej muajsh.
Top Channel