Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë ngushtësisht me qeverinë e Izraelit, në mënyrë që të pengojnë Iranin të shndërrohet në një fuqi bërthamore.
Këtë e bëri të ditur presidenti Barack Obama, në një intervistë të dhënë për rrjetin “NBC”, ditën e hënë.
Presidenti theksoi se qëllimi kryesor i SHBA-ve janë zgjidhja e çështjes nëpërmjet diplomacisë, por bëri të qartë se asnjë opsion nuk është për t’u përjashtuar.
Megjithatë, Obama e cilësoi si të “pabesueshëm” zërat se Izraeli është duke përgatitur një sulm të njëanshëm, me qëllim shkatërrimin e reaktorëve të fqinjëve.
Uashingtoni dhe Tel Avivi besojnë se programi bërthamor i Teheranit ka si qëllim ndërtimin e një bombe, por qeveria e vendit aziatik e kundërshton këtë version, duke këmbëngulur se programi i tyre ka vetëm synime civile.
Në nëntor, Agjensia Ndërkombëtare Atomike e OKB-së, publikoi një raport shumë shqetësues, në të cilën evidentohej prezenca e programeve dhe pajisjeve, që përdoren vetëm për të ndërtuar armë të shkatërrimit në masë.
Që prej atëherë, presioni ndërkombëtar mbi Iranin ka ardhur në rritje të vazhdueshme, ndërsa vendi me 75 milion banorë është shndërruar në subjekt të sanksioneve të ashpra nga ana e Uashingtonit dhe vendeve europiane.
Top Channel